English

Ministri gjerman Niebel:Gabim politik mbyllja e dyerve të Rripit të Gazës

Palestinë, 20 qershor, NOA – Vendimi i qeverisë izraelite për të ndaluar një vizitë në Rripin e Gazës, duket e ka zemëruar vërtet ministrin gjerman për zhvillim, Dirk Niebel, i cili deklaroi se mbyllja e dyerve të Gazës dëshmon frikën e qeverisë izraelite nga transparenca.

Niebel po zhvillon një vizitë disa ditore në Palestinë, dhe deklaroi për këtë ngjarje se "pikërisht në këtë moment kur Izraeli ka paralajmëruar ndryshimin e politikës ndaj Gazës dhe ka vendosur të lejojë dërgimin atje të mallrave për civilë, vizita do të ishte një sinjal i mirë politik”, ndaj, theksoi Niebel, ky është një gabim i madh i qeverisë izraelite në politikën e jashtme.

“Do të dëshiroja që këtu të jepet një sinjal i qartë për hapje dhe transparencë, pasi ndonjë herë miqtë e qeverisë izraelite nuk e kanë të lehtë të kuptojnë sjelljet e saj", deklaroi Niebel.

Niebel shtoi se fjalët duhet të pasohen me vepra dhe paralajmërimet e deritanishme nuk mjaftojnë, pasi Izraeli duhet t'i zbatojë ato. Besoj se është vetëm çështje kohe deri sa të arrijmë tek hapja dhe transparenca. Ndërkaq ne duhet të përpilojmë një listë negative të mallrave që nuk mund të futen atje, me qëllim që të gjitha mallrat e tjera të lejohen, dhe është e natyrshme që kemi nevojë për heqjen e plotë të bllokadës", deklaroi Niebel.

Ministri gjerman për Zhvillim, Dirk Niebel, u takua gjatë kësaj vizite edhe me kryeministrin palestinez Salam Fajad, i cili deklaroi për mediat gjermane pas takimit se “kur një ministri gjerman i ndalohet udhëtimi në Rripin e Gazës, atëherë me siguri që ka një problem, pasi Izraeli ka deklaruar kohët e fundit se do të lirojë bllokadën, dhe se qeveria e Palestinës kërkon heqjen e plotë të saj nga Rripi i Gazës”, nënvizoi kryeministri palestinez.

mit/NOA
KOMENTE