Durrës, 20 qershor, NOA – Ministri i Transportit Sokol Olldashi deklaroi sot nga qyteti Durrësit se vendi nuk është në krizë ekonomike.
I ndodhur në ceremoninë e Festës së Detit që organizohet nga pushteti vendor, Ministri Olldashi ka folur për mediat duke vlerësuar rëndësinë që ka Porti Detar i Durrësit për zhvillimin e qytetit, por edhe për ekonominë e gjithë vendit.
Drejtuesit e Portit kanë zgjedhur që këtë ditë të lejojnë qytetarwt të vizitojnë ambientet e brendshme dhe të shohin projektin e ri për rregullimin e tij.
Ministri Olldashi u shpreh se gjatë këtij viti sasia e eksporteve të nxjerra nga Porti i Durrësit është disa herë më i madh.
“Nëse më parë raporti ka qenë nëntë me një për importet, tashmë ky raport ka rënë”, - tha Olldashi.
Nisur nga kjo ministri i Transporteve u shpreh se ky zhvillim tregon se vendi “nuk është në krizë ekonomike, por vecse në festë”.
Olldashi ka theksuar se gjatë pesë viteve të fundit Porti i Durrësit është kthyer në një gjenerues të ardhurash për ekonominë e qytetit bregdetar, por edhe për gjithë vendin.
m.xh/NOA