Olli: Shërbime Shtesë Për Përballimin E Zjarreve Gjatë Stinës Së Verës
TIRANË, 20 Qershor /ATSH - Mira Shkurta / - Afrimi i stinës së nxehtë të verës kërkon marrjen e masave si dhe angazhimin e të gjitha strukturave përgjegjëse në përballimin e situatave të krijuara nga zjarret e mundshme në këtë periudhë, një fenomen i cili vitet e fundit ka prekur shpesh vendin tonë.
Ky fenomen e ka detyruar Shërbimin e Emergjencave Civile të marre masa për të vënë në gadishmëri të gjitha strukturat, sidomos ato operacionale, në rastet e situatave emergjente.
Në një intervistë për ATSH-në, Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, informoi mbi hartimin e një plan veprimi për përballimin e situatave nga zjarret e mundshme gjatë stinës së verës.
Nisur edhe nga eksperienca e dy viteve të fundit, me një problematikë të zgjeruar të zjarreve, si në pyje, ashtu edhe në zonat urbane e rurale, Olli vuri në dukje se Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, edhe këtë vit kanë angazhuar strukturat përgjegjëse për të menaxhuar situatën gjatë stinës së verës.
Olli foli për ngritjen e stacioneve me shërbim të posaçëm 24 në 24 orë, për evidentimin e rasteve të zjarrit, si dhe ndërhyrjen sa më parë për të shmangur pasojat e këtij fenomeni.
"Problem tjetër që kërkon prioritet dhe ne i kemi kushtuar vëmëndje, është edhe mbrojtja e zonave të bregdetit, ku do të veçoja plazhet e mëdha si, Saranda, Himara, Durrësi, Velipoja, etj, të cilat për shkak edhe të grumbullimit të madh të popullsisë gjatë stinës së verës, janë zona të cilat konsiderohen me risk, pasi një gabim i vogël njerëzor, mund të sjellë një ngjarje të madhe", tha ai.
Është kërkuar nga të gjitha njësitë vendore të caktohen vrojtues të posaçëm për zonat e tyre pyjore, si pika kontakti të rëndësishëm në evidentimin e zjarreve të mundshme. Kreu i Emergjencave informoi se janë përcaktuar zonat më të ndjeshme nga ky fenomen, ndër të cilat ai veçoi masivet e pyjeve në rrethin e Kukësit, Pukës, Dibrës, Parku i Lurës, ai i Llogarasë etj, të cilat sipas tij, kërkojnë vemëndje të veçantë nga ana e strukturave përgjegjëse.
Olli tha se "është caktuar nga Pushteti Vendor përgatitja e vrojtuesve për zonat pyjore që ato kanë në juridiksion, si pika kontakti të domosdoshme për evidentimin e shfaqjes së zjarreve. Kjo edhe për faktin se 60 % e pasurive pyjore, tashmë ka kaluar në pronësi të komunave dhe bashkive.
Në këtë sistem informacioni, do të jenë punonjësit e Policisë së Shtetit të shtrirë në të gjithë territoret, të cilët në mënyrë direkte, do t'ua përcjellin këtë informacion drejtuesve vendorë.
Të rëndësishëm në përballimin e situatave të zjarreve, Olli vlerësoi edhe bashkëpunimin me shërbimet homologe italiane dhe greke me mjetet nga ajri për shuarrjen e zjarreve, shërbim që Shqipëria ende nuk e ka, ndërkohë që risia e këtij viti janë dy kontrata të reja të nënshkruara me Kroacinë dhe Austrinë, për ndërhyrjen me mjete të fuqishme nga ajri në rastet e zjarreve.
Përmes një projekti të Bankës Botërore, brenda këtij muaji, Tirana do të pajiset me dy zjarrfikëse të reja, sipas të gjitha parametrave, si dhe një autoshkallë, e cila do të shërbejë për aksione në nivele të larta për shpëtimin e njerëzve, në rastet e rënies së zjarreve në pallatet shumëkatëshe, shërbim që momentalisht në vend mungon.
Olli u shpreh edhe për pajisje të reja dhe makineri të fuqishme të ndërhyrjeve në rastet e rënjes së zjarreve. Marrëveshje operative do të nënshkruhen së shpejti edhe me Turqinë, Maqedoninë, Kosovën, për të përballuar sfidat e përbashkëta klimaterike, për mjete ajrore për shuarjen e zjarreve.
Përmes projektit të Bankës Botërore, Emergjencat Civile, brenda muajit qershor, do të pajisen me mjete dhe makineri të fuqishme të ndërhyrjeve në rastet e rënies së zjarreve.
Për përballimin e situatave në rastet e fenomeneve natyrore si, zjarri, përmbytjet, bllokimi i rrugëve nga bora, Shërbimi i Emergjencave Civile është përfshirë në një Projekt të Bankës Botërore për "Reduktimin e Risqeve në Shqipëri", i pari projekt jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Ballkan e më gjerë.
Faza e parë e këtij projekti, i cili ka filluar zbatimin në 18 qershor të vitit 2009, një investim prej 6.9 milionë euro, ka dy komponentë të rëndësishëm dhe do të përfundojë brenda tre vjetësh. Komponenti i parë, një investim prej 3 milionë euro, përfshin forcimin e kapaciteteve emergjente me makineri dhe pajisje për shërbimin zjarrfikës, makineri dhe pajisje për përmbytjet, bllokimin e rrugëve nga dëbora, etj.
Krijimi i disa qendrave të Emergjencës, të shtrira në jug dhe veri të vendit, do te shoqerohet me ngritjen e tre stacioneve të emergjencës në këto zona, qe do t'i paraprijë hyrjes së forcave të shtetit me helikoperë të ushtrisë, shërbimin zjarrfikës etj.
Brenda këtij projekti përfshihet edhe një investim prej 2 milionë euro për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme si dhe ngritja e stacioneve meteorologjike në rastet e emergjencave, një tjetër komponent i rëndësishëm që do të paralajmërojë fenomentet e pritshme, sikurse janë përmbytjet.
Tregu i sigurimeve, është një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij projekti, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt për shpërblimin e dëmeve në rastet e emergjencave të ndryshme, për jetën, pronën private dhe shtetërore.
Me pagesën e një kontributi të caktuar në këtë treg sigurimesh, në rastin më të parë të ndodhjes së fatkeqësisë natyrore, Shqipëria do të jetë përfituese e një kontributi për përballimin e situatave në rastet e fatkeqësive të ndryshme. /a.ke/