Tiranë, 20 qershor, NOA – Nën kodin “Dorittos”, policia e Tiranës dhe ekspertë të seksionit kundër krimit ekonomik dhe financiar, vunë në pranga këtë pasdite edhe dy shtetas të tjerë, për prodhim të paligjshëm të mallrave ushqimorë.
Arben Ibrahim Filloli 39 vjeç dhe Gjergji Dhiogjen Qirici 36 vjeç, të dy banues në Tiranë u arrestuan në flagrancë, edhe këtë në afërsi të kthesës së Lundrës, duke transportuar mallra kontrabandë, që nuk posedonin asnjë dokument mbi vërtetimin e origjinës së mallit.
Operacioni “Dorittos” u finalizua pas dy muaj hetimesh të veprimtarisë së dy shtetasve Filloli dhe Qirici, të cilët në bashkëpunim me shtetas të tjerë prodhonin mallra ushqimorë si patatina të llojeve të ndryshme në mënyrë të paligjshme.
Sipas hetimeve bën të ditur policia e Tiranës, këta shtetas kishin ndërtuar mjedise prodhimi në fshatin Qesarak, ku prodhonin dhe shisnin patatina me mbishkrimin “Era Patatina Lodra”, pa miratimin më parë, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Buqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve.
Gjatë arrestimit ata po transportonin mallrat e paligjshme në vlerën e 1 milion lekëve me automjetin, tip Ford me targa Tr 4824R.
Gjatë kontrollit policia sekuestroi automjetin dhe 35 mijë pako e qese plastike me mbishkrimin Era Patatina me Lodra si dhe aparatura të ndryshme që shërbenin për prodhimin e patatinave.
Dy shtetasit e arrestuar Arben Filloli dhe Gjergji Qirici do të ndiqen penalisht nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të prodhimit të paligjshmë të artikujve ushqimorë.
mit/NOA