Poloni - Fillon Votimi Për Presidentin E Ri
VARSHAVË, 20 qershor /ATSH-ANSA/ - Filluan sot në orën 06:00 zgjedhjet presidenciale të parakohshme në Poloni, pas vdekjes së presidentit Lech Kaczynski në aksidentin ajror të 10 prillit në Smolensk.
Kandidatët për kryetar shteti janë dhjetë, ndër të cilët, sipas sondazheve, dy kryesorët janë Bronislaw Komorowski, 58 vjeç, kryetari i parlamentit dhe Jaroslaw Kaczynski, 61 vjeç, vëllai binjak i ish-presidentit.
Nëse askush nga kandidatët nuk do të marrë sot më shumë se 50 për qind të votave, atëherë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve më 4 korrik.
Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 20. Rezultatet zyrtare do të publikohen nga Komisioni kombëtar zgjedhor të hënën në mbrëmje.
Për të votuar janë thirrur 30.5 milionë persona dhe qendrat e votimit numërohen më shumë se 25 mijë. Jashtë vendit, për ti garantuar votimin emigrantëve polakë, janë hapur 263 qendra votimi, ndër të cilat 41 në Britaninë e Madhe, 28 në Shtetet e Bashkuara dhe 8 në Afganistan, këto të fundit në dispozicion të ushtarëve polakë që janë angazhuar në misionin e NATO-s.
/e.v/