Profil-Art/ Korkaj,Nga Buzuket E Greqisë, Në Sfidën Shqiptare
qiptare
TIRANË, 20 Qershor /ATSH- Edmond Prifti/.- Prej gati 15 vitesh, Arjan Korkaj ka kënduar në mbarë buzukët e Greqisë, nga Selaniku e deri në Athinë, por së fundmi, ka vendosur të provojë fatin në kryeqytetin shqiptar.
Gjatë një interviste për ATSH-në, Korkaj tregon se nuk i vjen turp të thojë se në qytetin grek të Edesës puna e tij e parë ishte larja e makinave. "Njëlloj siç e ka marrë pikënisjen çdo emigrant tjetër atje", shton ai.
Nganjëherë është thjesht rebel me gjithçka që e rrethon, duke përmendur se shumë e ngatërrojnë me atë se çdo të thotë VIP.
"VIP-i më i madh nuk është sa paguan dhe si i del emri, as çfarë marke kanë rrobat e tij. Por kush është brenda tyre, çfarë shpullash ka marrë në jetë dhe si vijon të ecë më tej. E rëndësishme është të mos bësh të njëjtat gabime gjatë jetës", shprehet Korkaj për ATSH-në.
"Vërtetë kemi 20 vite që hyjmë dhe dalim jashtë Shqipërisë, por ende nuk kemi cilësinë. A nuk iu duket se shpesh herë këtu paguhet shtrenjtë çdo gjë?! E rregullatorët për këto janë politik-bërësit shqiptarë", vijon më tej duke shpresuar më të mirën.
Korkaj nuk ka harruar asnjëherë se çfarë ka mësuar gjatë 15 viteve të karrierës muzikore por edhe problemeve që i dolën gjatë jetës. Shprehet se ka "provuar shuplakat", por edhe arenat LIVE para afro 2000 spektatorëve. E tashmë, ka bërë një zgjedhje: "Të përballet me sfidën e fundme, Shqipërinë".
Spektatorët shqiptarë arritën ta shihnin teksa këndonte Live në disa emisione televizive e më tej, ai u ftua të këndonte në disa radio lokale shqiptare, që pas rikthimit të tij muaj më parë.
Kënga për Korkaj është "ajo që prek brendësinë e njerëzve dhe janë të paktë ata këngëtarë që e realizojnë këtë gjë në Shqipëri", thotë ai, duke veçuar megjithatë, zërat e pavdekshëm të Gëzim Nikës apo të korifenjve të muzikës shqiptare si "tonaliteti i zërit të mrekullueshëm të Vaçe Zelës, Irma Libohovës apo Kozma Dushit".
Fillesat në Greqi
Ishte viti '91 kur Arjan Korkaj u largua nga vendlindja e tij, për t'u përballur me sfidat në një tokë e terren të panjohur. "Nuk është turp të thuash të vërtetën kush je, por kur hiqesh dikush tjetër", shprehet më tej Korkaj. "I kam ndjerë disi komplekset e shqiptarëve, ashtu si edhe këto, me të cilat po përballem çdo ditë në këtë vend...", shton Korkaj. Dhe këtë e lidh me një histori, të ndodhur pak kohë më parë. "Më kujtohet ngjarja e hidhur që ndodhi muaj më parë, kur bashkëshorti i një femre që e tradhtonte, shkoi dhe vrau tre vëllezër ndërkohë që për këtë të ashtuquajturin nder, ai do të vuajë përjetë burgun".
Biseda me Korkaj fokusohet spontanisht te kultura mes dy popujve, helen dhe shqiptar, për të cilin këngëtari i buzukëve shprehet se: "Kultura do apo s'do, do të vijë me kohën edhe këtu, pikërisht nga ata njerëz që kanë jetuar apo studiuar jashtë shtetit. Por deri atëherë, do të dëgjohen ende edhe njerëz që bërtasin në tavolina ashtu si edhe ky personi pranë nesh... Ata nuk diskutojnë! Thjesht, duan të duken. Pse me femrat ndodh e kundërta? Pse ato s'bërtasin, por e çojnë rrjedhën aty ku duan ato?! Lëre ç'hiqemi ne si burra...", thotë Arjan Korkaj duke e ironizuar disi bisedën.
Nga hapat e parë e deri te buzuku
Filloi të këndonte në greqisht dhe ashtu vijoi më tej pas 5 vitesh të endura në shtetin helen. Në Selanik, fillimisht Korkaj do të merrte kurse private muzike, e për to paguante deri në 5 mijë dhrahmi për një orë të vetme.
Shumë shpejt do të kishte fatin të këndonte pranë Katerina Stanisit, Nektaris Spiraqis, Themis Adhamandidhis dhe shumë të tjerëve.
Ishin ata që i dhanë shtysën më të madhe në interpretimin e muzikës greke. Por, Paskal Terzi do të ishte këngëtari grek i cili do ta përgëzonte dhe do ti jepte krahë të vijonte karrierën muzikore, ndërsa e pa Korkajn tek lotonte duke kënduar "Ana Themasi": "Të marrë e mira, nuk të vjen keq për mua që unë po digjem e shkrihem për ty / ti që më bëre që unë të dua, e tashmë jam unë ai që e vuaj"...
"Më vjen keq që ikën" është titulli i këngës së albumit të tij të parë, ndërsa vijon më pas me këngët "Më mirë vetëm" dhe "Ah, moj zemër", të cilin Korkaj po përgatitet ta hedhë së shpejti në treg.
"Gjysmën e jetës sime e kam kaluar në Greqi. Muzikën, grekët e thurin aq bukur me fjalët, sa të ngrenë shpirtin në ajër", vlerëson Korkaj.
Nuk pëlqen muzikën komerciale, për të cilën thotë se "nuk do të vjedh asnjëherë dhe kurrë s'do bëj këngë komerciale. Ajo që dëshiroj ngaherë është të këndoj këngë e që njerëzit ta mbajnë mend për vite me radhë; këngë, që të dhemb shpirti teksa i dëgjon... e subjekte gjenden plot në këtë vend".
E më pas, gjithçka e përmbledh me këngët e dashurisë: "Kush është ai njeri që s'ka dashuruar kurrë apo që s'i ka thënë kurrë një femër "Mirupafshim", apo edhe e kundërta! Pra dalim te ajo shprehja "kur lëndon, edhe do lëndohesh". Është si një pasqyrë, që reflekset t'i kthehen mbrapsht", përfundon këngëtari i muzikës greke të buzukeve, Arjan Korkaj./n.m/