Tiranë, 20 qershor, NOA – “Dëshirojmë t’i rikujtojmë edhe njëherë Sali Berishës se “entuziazmi” nuk është tregues ekonomik, por vetëm një gjendje emocionale”. Në këtë mënyrë i është përgjigjur Partia Socialiste deklaratave të mazhorancës për rritje ekonomike dhe zhvillim gjatë këtij vitit.
Në emër të PS, deputetja Ermonela Felaj u shpreh se si pasojë e politikave të papërgjegjshme të qeverisë, ekonomia e vendit gjendet sot në një situatë kritike nga e cila nuk mund të dilet me propagandë elektorale apo sulme kundër opozitës.
“Opozita shqiptare dhe Partia Socialiste nuk kanë ndonjë interes në dështimin ekonomik të vendit, përkundrazi, është detyrë e saj, si ç’është detyrë e çdo opozite të përgjegjshme në botën demokratike, të monitorojë ekonominë dhe të shtyjë qeverinë të reagojë menjëherë ndaj të gjitha sinjaleve të alarmit”, tha ajo.
Felaj shtoi se kriza po rëndohet gjithnjë e më shumë. “Tanimë realiteti ekonomik shqiptar po rëndohet përditë, e nuk ka më kohë për propagandë, por duhen politika të përgjegjshme ekonomike”, tha ajo.
Ajo shtoi se ditët e fundit ka patur shumë sinjale alarmi mbi ekonominë, “të cilat Partia Socialiste nuk mund t’i injorojë siç bën qeveria”.
Në këtë linjë Felaj tha se ulja e remitancave, rënia ekonomik në sektorin e fasoneve, rënia e të ardhurave për të punësuarit janë shenjat që sipas Felajt tregojnë se vendi po thellon krizën ekonomike.
“Këta janë zërat që qeveria shqiptare duhet të dëgjojë me kujdes, zërat e vërtetë të qytetarëve shqiptarë, jo ata të pak bizneseve në oborrin e pushtetit”, u shpreh Felaj.
m.xh/NOA