Tiranë, 20 qershor, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës së mazhoranca nuk ka pranuar firmosjen e marrëveshjes së propozuar nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh sot se rrëzimi i një propozimi, apo dokumenti negociues, mund të bëhet vetëm në momentin që palët janë ulur në tryezën e bisedimeve. Duke u ndalur në deklaratat e PS, Rama u shpreh se “ky qëndrim është spekulativ sepse draftet rrëzohen ose pranohen kur palët janë ulur në tryezën e dialogut”.
Në një deklaratë për mediat, Luan Rama u shpreh se nga qëndrimet partiake dhe ekstreme të PS-së nuk mund të gjykohet se cili draft është më i mirë.
“Nga bunkere partish nuk mund të gjykojmë se cili draft është pranuar dhe cili draft është refuzuar. Prandaj e quaj spekulim këtë qëndim për sa kohë që palët nuk janë ulur në një proces bashkëpunues dhe transparent”, tha Rama.
m.xh/NOA