English

Reportazh/ Divjakë: Deti Dhe Pylli I Pishave Ne Pritje Te Pushuesve

DIVJAKE, 20 Qeshor /ATSH -Rr.Isufaj / - Qyteza e Divjakës, rreth 30 km larg Lushnjes me bregun e gjerë detar, rërën e pastruar prej mbeturinave, lokalet me menu të pasur, hotelet, qetësia e pyllit, bukuritë e lagunës, është bërë gati për pushuesit në këtë sezon turistik. Ndërsa gabinat buzë pyllit me pisha të ndërtuara para viteve 1990 të zbardhura nga "sherbeti" i gëlqeres janë në pritje të pushuesve stacionarë, në qëndër të qytezës lajmërimet njoftojnë dhënien e banesave me qera në dispozicion të pushuesve. Sivjet të tërheq vëmënndjen prania e investimeve dhe një infrastrukture më e mirë, që tregon se Bashkia e ka vlerësuar më drejt këtë perlë natyrore, dhuratë nga Zoti. "Rruga kryesore që të con në plazh është shtruar, ndërsa kemi pastruar rrugët këmbësore që futen në pyll nga shkurret duke krijuar kushtet, që pushuesi të shijojë këto bukuri të rralla të zonës", thotë kryetari i bashkisë, Arqile Gorreja. Divjaka ofron një vijë bregdetare plazhi prej rreth 23 km të gjatë dhe gjerësi 80-90 m, por ajo ç'ka e bën të veçantë plazhin është Parku Kombëtar Pyjor me pisha 80-vjeçare, që shtrihet në sipërfaqen prej rreth 5000 ha, brënda së cilës galon një faunë e pasur. Por kryetari i Bashkisë, veçon vlerat e rërës së imët dhe të pasur me jod, që vëndasit e quajnë "kum" si një tjetër vlerë e veçantë natyrore, që përdoret për kurimin e sëmundjeve reumatizmale dhe të kockave. Sivjet në dispozicion të plazhistëve dhe pushuesve janë vënë rreth 200 apartamente, 50 prej të cilëve, banesa në pallat. "Edhe Shtëpitë e pushimit janë në gjendje më të mirë, të paisura me shtretër, ndërsa gabinat e reja janë pajisur me të gjitha orenditë dhe paisjet elektroshtëpiake të nevojshme", shton Gorreja. Banorët pohojnë se sivjet ka ndryshuar për mirë për perspektivën e turizmit në Divjakë: mentaliteti dhe konceptet e reja të tyre për turizmin. Në qëndër të qytezës gjen afishe me lajmërime për dhënien e banesave me qera për pushues. "Në banesa me qera, pushuesve u ofrohen nga të zotët e tyre edhe ushqime tradicionale si tavat me domate e speca të mbushura, turshi, sallatë perimesh të ziera, gjithçka që e bën të pasur guzhinën tradicionale divjakase", thotë 70-vjeçari Pilo, që shton se këtu ka çmime të ulta, pastërti, shije, gatim. Ndërsa Nikollë Hila tregon se "mikëpritja jonë është kryesore për pushuesit.Në Divjakë mund të ngjesh shumë lehtë dhoma të pastëra, të paisura me orenditë e nevojshme për pushim normal pa telashe". Guzhina e pasur tradicionale e bën tërheqës turizmin këtu. "Guzhina jonë është e njohur për peshkun, veçanrisht ngjalën" thotë Hila, duke veçuar ngjalën, karkalecat, kallamarët, oktapodin. "Por si zonë e Myzeqesë nuk na mungojnë as mishrat si zogu i fushës, fazani, mishi i qingjit, derrit, viçit, e deri tek bretkocat etj", thotë një prej pronarëve të restoranteve në mes pishave. Kryebashkiaku Gorreja shton se një skuadër çdo ditë bën pastrimin e plazhit, ku janë vendosur tualete provizore, koshat e plehrave, duke rritur cilësinë e shërbimit./n.m/
KOMENTE