English

Reportazh/ Gjirokaster, Qyteti Qe Nis Ndertimin E Kishes Se Re Pas 50 Vjetesh

H GJIROKASTËR, 20 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Thoma Mastaka nga Bularati, babai i gjashtë djemëve të rritur, ka pritur 68 vjet për të parë nga afër nisjen e punimeve të kompleksit multifunksional të Kishës Orthodokse në Gjirokastër, më e madhja në jug të vendit. "Shtatë dekada më janë dashur për të përjetuar një çastë të tillë", thotë Mastaka, besimtar, duke nënvizuar se kjo është dita më e lumtur e jetës së tij. Mastaka tregon se prej vitit 1967 feja u ndalua me ligj nga sistemi komunist, ndërsa besimtarët nuk kishin të drejtë të luteshin, në rast të kundër përfundonin në burg ose në internim. "Në atë kohë jeta shpirtërore ishte e kontrolluar nga Sigurimi i Shtetit, madje lutjet në ditët e shenjta kryeshin në fshehtësi të plotë", kujton Mastaka, berber në pension. Sipas tij, në atë kohë shumë objekte fetare u dëmtuan plotësisht, disa prej tyre u kthyen në magazina kooperative apo në garnizone, ndërsa sot gjërat kanë ndryshuar. "Asgjë e keqe nuk në vjen nga feja. Lutjet të çlirojnë nga stresi, të largojnë nga e keqja, si dhe të japin mundësi të reflektosh", thote ai. Mastaka tregon se ndërtimi i kompleksit të Kishës përballë stadiumit të vjetër të qytetit, 30 metra larg nga rruga kombëtare Gjirokastër-Kakavije, është një ogur i mirë për besimtarët orthodoksë. Kryepeshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ka bekuar sot nisjen e ndërtimit të objektet shpirtëror, e ka cilësuar ate si një dhuratë nga Zoti. "Sot mëngjesi nisi me stuhi, shi pafund. Lavdi Perëndisë ekziston dhe diell. Kjo më jep gëzim, lumturi dhe shpresë", thotë Janullatos, duke nënkuptuar vështirët që kanë ndeshur besimtarët gjatë regjimit komunist. Janullatos thotë se kisha është një qendër pajtimi, shprese dhe vëllazërimi. "Ndërtimi i kishës së re është një pikë kthese për çdo besimtarë dhe shpresoj se me fuqinë e Perëndisë kjo do të bëhet realitet", shtoi ai. Stefan Koça, inxhinier ndërtimi, tregon se kisha e re me sipërfaqe 5 hektarë, me kapacitet rreth 500 vende, ka një histori të gjatë shumëvjeçare. "Themelet e parë u hodhën disa dekada më parë, por sistemi komunist e shkatërroi, ashtu siç shkatërroi besimin", thotë Koça. Ai tregon se pas vitin 1990, ky truall nuk u zaptua, e ruajti Zoti nga ndërtimet pa leje dhe pas një ristudimi u vendos që projekti në vihet në zbatim pas 50 vjetësh, ndërsa investimi vlen 2 milionë euro. "Kisha do të jetë në dispozicion të besimtarëve në fund të vitit 2014", siguron Koça, duke nënvizuar se krahës godinës qëndrore, do të ndërtohen dy objekte arsimore dhe një bibliotekë. /a.ke/
KOMENTE