Reportazh/ Kavajë: Nxënësit Nga Presheva E Bujanovci, Ambasadorët E Integrimit
-Me 104 nxënësit dhe mësuesit shqiptarë e serbë, që me nismën e zëvëndëskryeministrit Meta vizituan një javë Shqipërinë-
KAVAJË, 20 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Shenasi Mustafa është një nga 8 mësuesit që këto ditë ka vizituar vendin tonë së bashku me një grup prej 96 nxënësish të moshave 11-15 vjeçare të shkollave të komunave të Preshevës dhe Bujanovcit me shumicë shqiptare në Serbi.
Me ftesë të veçantë të zëvëndëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta dhe nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjithë grupi është vendosur në kompleksin "Mak Albania" në bregdetin e Kavajës.
"Vizita e zotit Meta para dy muajsh në komunat tona ishte një ngjarje e madhe", thotë Shenasi Mustafa.
"Ishte zyrtari i parë i lartë nga Shqipëria që vinte për nisur një proçes të rëndësishëm për ne shqiptarët që vazhdojmë të jemi në territoret e Serbisë", shton ai.
"Ky udhëtim është i mrekullueshëm dhe do t'a mbajmë mend gjatë. Urojmë të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi dhe "lidhjeje mes vedit", shprehen thuajse njëzëri nxënësit dhe mësuesit nga komunat e Preshevës dhe Bujanonvcit, që qëndruan në dheun "amë" një javë.
Mes pishave e ujit të pishinave, ata nuk reshtin së foluri për përshtypjet që kanë marrë nga Shqipëria.
"Kemi vizituar Durrësin dhe Krujën, Lezhën dhe Beratin dhe sigurisht Tiranën, ku z. Meta na priti dhe bisedoi me ne për më shumë se një orë në rezidencën e tij", tregon Shenasiu, mësuesi i thinjur i matematikës, që viziton për herë të parë Shqipërinë.
"Kudo kemi gjetur mikpritje dhe ndryshime të mëdha pozitive", ndërhyn në bisedë edhe mësues Adil Bajrami, që ka qenë edhe tre herë të tjera me familjen në Durrës.
"Kryetari i Bashkisë së Lezhës na shoqëroi vetë te Mauzoleu i varrit të Skenderbeut, ndërsa në muzeun e Krujës fëmijët nuk pushonin së pyeturi", i rikthehet bisedës mësues Shenasiu.
Nesër grupi do të largohet nga Shqipëria, por tashmë me bindjen se janë hedhur bazat e bashkëpunimit.
"Shkollat tona "Skenderbeu" dhe "Naim Frashëri" do të përgatisin binjakëzimet me shkollat simotra në Shqipëri", tregon Shenasiu, që gjithesi, bisedës i rikthehet tek vizita e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta në shkollat e komunës së Preshevës, ku mësojnë mbi 14 mijë nxënës.
"Zoti Meta na këshilloi që të përzgjidhnim nxënësit me rezultatet më të mira në mësime dhe sjellje, por dhe që të mos harronim edhe fëmijët dhe mësuesit serbë të shkollave", vijon mësuesi nga Presheva.
"U përpoqëm që të përfshijmë në grup veçanërisht fëmijët e familjeve që nuk kanë mundësi financiare ta vizitojnë Shqipërinë lëhtësisht", tregon Shenasiu, që udhëheq një prej dy grupeve të mëdha të nxënësve vizitorë.
Mësuesja serbe, Tania Jocic punon si psikologe në një nga shkollat fillore të komunës së Bujanovcit.
"Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Më kishin folur mirë edhe bashkëatdhëtarët e mij që kanë vizituar Durrësin dhe Tiranën. Por tani që erdha, kam vendosur të vij përsëri", më thotë në gjuhën angleze Tania. Edhe pse kupton jo pak shqip, ajo preferon të flasë në një gjuhë ndërkombëtare.
Linda Agushi, Dhurata Bajaziti dhe Ermira Aliu, nxënëse të klasave të 7-ta nuk e fshehin kënaqësinë që prindërit u kanë vënë emra shqiptarë.
Gjatë vizitës njëjavore në Shqipëri, ato kanë këmbyer adresat elektronike jo vetëm me bashkëmoshatarët që kanë njohur këtu në shtëpinë e pushimit, por edhe me ciceronët e muzeve të qyteteve historikë.
"Duam të dimë më shumë për historinë tonë", thotë Linda.
"Po nuk e kemi vendosur një tullë në shtëpi pa menduar për Shqipërinë bre!", gati thërret njëri prej mësuesve, që siç thonë edhe shokët e tij, duket se ka pamjen e plakut të urtë, Ismail Qemali.
"Lugina e Preshevës është krejt shqiptare dhe shqiptarët po shkollohen edhe më tej", e nget bisedën mësuesi me pamje aktori.
"Ja, psh, dy fëmijët e vegjël të Shenasiut kanë përfunduar universitetin në Prishtinë për degët mësuesi dhe gjuhë angleze. Edhe Fatlumi, edhe Shkurta japin mësim në shkollat tona, por kontratat që u bëhen nga administrata serbe janë të përkohshme, pasi janë lauruar në një universitet të Kosovës dhe jo të Serbisë", shpreh ai shqetësimin e tij.
Mësuesit kanë lexuar në gazetat shqiptare për heqjen e vizave drejt Kroacisë.
"Ide e merituar", kështu e quan Shenasiu, duke uruar që vizat të mos jenë pengesë, por mundësi bashkimi.
Kur u nisëm për në Shqipëri, na përcollën përfaqësues të ministrisë së Arsimit nga Serbia. Ishte hera e parë që organizohej një nisje e tillë", nënvizon Shenasiu.
Në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës jetojnë mbi 95 mijë banorë, gjysma e të cilëve popullojnë Preshevën me rreth 95 përqind shqiptarë.
"Vetëm në shkollën fillore "Ibrahim Kelmendi" mësojnë mbi 2500 fëmijë, pa folur për shkollat "Selami Hallaçi" në Rahovicë apo "Abdulla Krashnica" në Miratoc", tregon Ermira.
"Të gjithë kanë dëshirë të vijnë. Këtu është shumë bukur", vijon ajo.
Dhe ne bindemi për fjalët e Shenasiut: "ka zgjedhur mirë z. Meta. Ku ka ambasadorë më të mirë se fëmijët për tu integruar në Evropë"./n.m/