English

Rrufeja lë pa ujë gjithë Durrësin

Durrës, 20 qershor, NOA – Në pikun e sezonit turistik qyteti i Durrësit rezulton të jetë pa ujë në gjithë hapësirën e tij. Që prej orës 5 të mëngjesit të sotëm i gjithë qyteti bregdetar nuk ka mundësi të furnizohet me ujë si pasojë e dëmtimit të sistemit elektrik që shërben për të vënë në punë ujësjellësin.

Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e pushtetit vendor dhe nga specialist e ujësjellësit të qytetit bregdetarë. Sipas tyre për shkak të reshjeve të shiut të rëna gjatë natës, rrufeja ka goditur linjën elektrike që përdoret për të vënë në funksionim pompat elektrike.

Bëhet fjalë për dëmtimin e kabullit 110 kilovolt që furnizon gjithë qytetin me ujë.

Mungesa e ujit në këtë stinë të vitit bëhet alarmante për qytetin bregdetar duke qenë se gjatë këtyre ditëve është i madh numri i pushuesve që kanë zgjedhur Durrësin për plazh.

Ndërkohë bizneset turistike dhe ambientet e shërbimeve kanë dhe problemet më të mëdha.

Drejtues të ujësjellësit në qytetin bregdetar kanë bërë të ditur se po punohet për rregullimin e defektit dhe pritet që gjatë ditës së sotme të bëhet i mundur dhe rregullimi i tij.

m.xh/NOA

KOMENTE