Sejdiu: Roli I Malavisë, I Rëndësishëm Për Njohjen E Kosovës
OVËS
PRISHTINË, 20 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerësoi të dielën rolin që Presidenti i Malavit, Z. Bingu Mutharika, ka luajtur në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
I kthyer nga vizita e tij në Malavi, gjatë një konferencë për shtyp, presidenti Sejdiu e cilësoi këtë vizitë, të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Ai vlerësoi rolin e madh të Presidentit Mutharika, që është edhe kryesues i Unionit Afrikan.
Sejdiu tha gjithashtu se ishte një angazhim i drejtpërdrejtë i tij jo vetëm te vendet fqinje të Malavit, por edhe te vendet e tjera, për të njohur Republikën e Kosovës si shtet.
Në vijim të konferencës për shtyp në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i pyetur në lidhje me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës që po ofron dhe zërat për krijimin e një mekanizmi uniteti pas këtij vendimi, Presidenti Sejdiu tha se "është me rëndësi që institucionet e Kosovës, janë institucione që kanë dalë nga votat e qytetarëve dhe se kane një mbështetje e fuqishme ndërkombëtare".
Sipas tij, me rëndësi është të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme dhe ky rol i institucioneve të vendit do të dëshmohet edhe në ecjet e mëtejshme, theksoi Presidenti Sejdiu.
Lidhur me deklaratën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, se "në demokraci zyrtarët që hetohen duhet të japin dorëheqje", Presidenti Sejdiu theksoi se "kjo është çështje e veprimit mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit të secilit institucion të vendit". /m.sh//a.ke/