English

Sejdiu, Thaçi: Kosova, njohje të reja pas vendimit të GJND-së

Prishtinë, 20 qershor, NOA – Ndërsa numri i shteteve që kanë njohur Kosovën e Pavarur është 69, e ndërsa pritet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të deklarohet publikisht për ligjshmërinë e statusit të Kosovës, dy liderët e saj, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi janë optimistë për shtimin progresiv të njohjes së Kosovës edhe nga shtete të tjera, pas deklaratës së Gjykatës së Hagës.

Menjëherë pas kthimit nga Malavi, presidenti Sejdiu, u deklarua i bindur se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t'i vlerësojë pozitivisht argumentet e palës kosovare, të cilat janë të parrëzueshme.

“Unë s’dua të paragjykoj se cili është mendimi i gjykatës, por unë them paralelisht se Kosova është një realitet pozitiv, një realitet që nuk kthehet pas. Paralelisht, mund të them se 69 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, kanë pasur arsyet e veta të plota. Them se do të ketë edhe shumë vende të tjera që do ta njohin në proceset e mëtejshme”, deklaroi presidenti i Kosovës.

Sipas presidentit Sejdiu, tashmë duhet që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme për veprime të bashkërenduara pas vendimit të GJND-së, gjithmonë pa shkelur kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi, pas vizitës në Bruksel, deklaroi se Kosva e ka të sigurt të ardhmen europiane.

“Bashkimi Evropian, edhe pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, do të ketë një qëndrim shumë unik për të ardhmen e Kosovës, për t’u integruar edhe në NATO, edhe në BE, por edhe për relacionet e reja në kuptimin e çështjeve praktike ,edhe me shtetin e Serbisë, pra si dy shtete të veçanta, të integruara në strukturat euro-atlantike”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Thaçi këmbënguli rishtas se “në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa në lidhje me statusin e Kosovës dhe me integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa pritet që edhe 5 shtete nga 27 vendet e BE-së të pranojnë ligjshmërinë e Kosovës, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë mbrojtur me argumente pro shtetit e Kosovës pranë, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësis, vendimi asnjanës i të cilës për ligjshmërinë e Kosovës pritet të hapë diskutime të ndryshme në Prishtinë dhe Beograd.

mit/NOA
KOMENTE