English

Thaçi: Kosova Ne Asnje Rrethane Nuk Do Te Kete Kthim Prapa

PRISHTINË, 20 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Në asnjë rrethanë nuk do ketë kthim prapa, hapje të çështjes së statusit as të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, tha sot kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri ka deklaruar se gjatë takimeve në Bruksel ka prezantuar qëndrimin se realiteti i krijuar në Kosovë është duke e tejkaluar procesin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe se Kosova është në fazën e fundit të këtij procesi. "Unë kam besim të plotë se Bashkimi Evropian pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë një qëndrim unik për të ardhmen e Kosovës, për të ardhmen e integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian" , tha Thaçi. "E di se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është duke u pritur me padurim nga të gjithë, edhe nga politika, edhe nga qytetarët. Dua të t'ju siguroj dhe t'i garantoj të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe njëherë, se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa, në asnjë rrethanë nuk do ketë hapje të çështjes së statusit të Kosovës e gjithashtu as të çështjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës", theksoi Thaçi. Kryeministri Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë shtypi i kthyer sot nga vizita në Bruksel, ku ka qëndruar me ftesën e autoriteteve më të larta të Brukselit, nga Bashkimi Evropian dhe nga autoritetet belge. Gjatë vizitës ai ka zhvilluar takime me Komisionerin për Zgjerim, Shtefan Fyle, me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, baroneshën Catherine Ashton, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rassmunsen, drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pjer Mirel, si dhe me kryeministrin e Belgjikës, Yves Letereme. /a.ke/
KOMENTE