English

Turizem/ Fier: Rihapje E Vonuar E Muzeut Në Apolloni

FIER, 20 Qeshor /ATSH, Rr.Isufaj / -Një pjesë e historisë së zhvillimit dhe qytetërimit të Apollonisë antike ende "fle" në Institutin e Monumenteve Akeologjike (IMA) në Tiranë, që kur rreth vitit 1991 muzeu antik u mbyll për arsye sigurie dhe objektet u zhvendosën për ruajtje. Pritet që nga fundi i këtij sezoni turistik, muzeu të rihapet, ku vizitorët dhe turistët do të mund të vizitojnë pjesën më interesante të zhvillimit apollonian, tha sot për ATSH-në specialisti i parkut të Apollonisë, Admirim Xhelaj. Muzeu i Apollonisë ka pasur të ekspozuara rreth 100 objekte të vogla, sipas një renditje kronologjike. "Objektet ishin të ekspozuara sipas kriterit tematik, kryesisht objekte qeramike, armë, enët e metalit, zbukurimet e ndryshme, të zbuluara nëpër varret e lashta të Apollonisë, të cilat pasqyronin kronologjinë sipas peridhave që kishte përjetuar qyteti", shton Xhelaj. Riekspozimi i statujave dhe objekteve hedh dritë dhe e bën më interesante historinë e qytetërimit antik, si dëshmi më e plotë, që së bashku me monumentet e ekspozuara në portik dhe pjesën e zbuluar të qytetit, krijojnë tabllon e plotë të Apollonisë së lashtë, shton ai. Muzeu që ndodhet në manastir në katin e dytë i është nënshtruar një rikonstruksioni nga IMA dhe tashmë pritet të vendosen në të sistemet e alarmit dhe ftohjes për të mbajtur një temperaturë konstante, të nevojshme për kushtet e ruajtjes së objekteve. Prej afro 19 vjet, vizitorëve dhe turistëve në qytetin antik u ka munguar një pjesë materiale e historisë, ç'ka do të rriste më shumë kurreshtjen dhe ineresin për Apolloninë. Rihapja e Muzeut pritet të kthehet në vitrinën e prezantimit të vlerave të gjithanshme në ndihmë të zhvillimit të turizmit në këtë zonë./n.m/
KOMENTE