Ukrainë - Kryeministri: Nuk Do Të Ketë Shkrirje Mes Gazprom Dhe Naftogaz
KIEV, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Nuk do të ketë shkrirje mes gjigandit rus të gazit "Gazprom" dhe shoqërisë energjetike shtetërore ukrainase "Naftogaz", u shpreh kryeministri ukrainas Mykola Azarov në televizionin ukrainas, i cituar nga agjencia Interfax.
"Nuk do të ketë asnjë shkrirje", tha prerë ai në një intervistë për televizinin 1+1. "Por, do të ketë kërkime për një formë organizimi që do t'u bëjë të mundur dy kompanive të bashkëpunojnë", shtoi Azarov.
Moska i ka shtuar ftesat e nënkuptuara drejtuar Kievit që ai të pranojë një shkrirje mes Gazpromit, prodhuesi më i madh në botë i gazit dhe shoqërisë energjetike shtetërore ukrainase Naftogaz, në vështirësi financiare.
Megjithatë, në mes të majit, presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, e vlerësoi "të pamundur" një shkrirje të tillë, vetëm nëse do të bëhet me pjesë të barabarta.
Homologu i tij rus Dmitri Medvedev theksoi më tej se bisedimet mund të mos çojnë në shkrirjen e plotë të dy kompanive, por në atë të "disa pjesëve" të aktivëve të tyre ose në krijimin e "ndërmarrjeve të përbashkëta" me pjesëmarrjen e tyre.
Më 8 qershor, Ianukoviç deklaroi për herë të parë se vendi i tij parashikon një këmbim aktivësh energjetikë me Moskën që, sipas tij, do t'u bëjë të mundur kompanive ukrainase të marrin pjesë në prodhimin e hidrokarbureve në Rusi.
/I.Pu.