Adem Demaçi: Shqiptarët Të Drejtat T'I Sigurojnë Me Mjetet E Kohës
- Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes së "Javës së Çamërisë" -
TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Duke sjellë një paralelizëm mes fatit të popullsisë së Kosovës dhe asaj të Çamërisë në aktivitetin "Java e Çamërisë" veprimtari kosovar Adem Demaçi u shpreh se "shqiptarët të drejtat e tyre nuk duhet t'i japin, por duhet t'i sigurojnë me mjetet e kohës, që pranohen dhe gëzojnë përkrahjen sot në botë. Ky duhet të jetë boshti i politikës sonë, kudo ku janë shqiptarët".
Demaçi, veprimtar i shquar kosovar, që luftoi për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe barazinë e Kosovës me republikat e tjera jugosllave ishte ftuar në ceremoninë festive në hapjen e "Javës së Çamërisë", sot pasdite në Tiranë.
Përmes fjalimit prekës, ai bëri paralelizëm me fatin e komunitetit çam, duke risjellë në kujtesë dëbimin nga trojet e veta të popullsisë kosovare, në fund të shekullit të XIX-të.
"Nga viti 1875-1878 na përzunë nga 650 fshatra, nga tokat tona, ku dhe sot një numur i madh i shqiptarëve të Kosovës mbiemrat i mban nga fshatrat, nga kanë ardhur dhe u strehuan në Turqinë e atëhershme, ndaj dhe plaga juaj është dhe plaga jonë. Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por të tashmen do ta ndryshojmë dhe të ardhmen do ta përgatisim bashkarisht", tha Demaçi, duke iu drejtuar të pranishmëve, kryesisht nga komuniteti çam.
"Situata e sotme është e ndryshme, pasi ne (kosovarëve), na u desh të vdisnim, të luftonim 100 vjet; me qindra e mijëra të shkonin në përjetësi e ta mbushnim historinë tonë me heronj, por kam shpresë të madhe që klima dhe rrethanat e sotme, Evropa e sotme është diçka tjetër", tha Demaçi.
Duke dalluar Greqinë e sotme, ai tha se "ne nuk mund ta fajësojmë Greqinë e sotme për ato që ka bërë dikur një regjim fashist. Detyra jonë është që ta gjejmë rrugën më të mirë, më të shpejtë, më të lirë, që edhe vëllezërit tanë, edhe ne kosovarët që u dyndëm nga fshatrat tona, të kthehemi një ditë atje. Tash e kemi mundësinë që me mjete politike e kulturore t'i detyrojmë ata, që me ne të sillen ashtu si duhet".
Duke shtruar nevojën e bashkimit me një organizim të vërtetë, Demaçi shtoi se "do përpiqemi që vëllezërit tanë çam të mos kenë më nevojë që për të drejtat dhe pasuritë e tyre të derdhin gjak, si e derdhëm ne, dhe të bashkohemi sa më shpejt".
Ndërsa pohon probleme me Serbinë, që "ende ka mbetur çetnike", Demaçi pranon se "edhe ajo dalëndadalë po rrethohet dhe cetnikëve po u humb fryma dhe forca, dhe do të detyrohet ta pranojë gjendjen faktike, klimën e re dhe porosinë e re që na vjen nga klima e sotme nga rrethanat e sotme".
Adem Demaçi, lindur 74 vjet më parë në Prishtinë, për angazhimin e tij politik për kauzën kombëtare dhe barazinë e Kosovës vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua, menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ndryshe quhet dhe "Nelson Mandela i Evropës".
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga vitit 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë periudhës 1998-99, kur mbaheshin takimet në Rambuje për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Sot angazhohet për të drejtat e pakicave në Kosovë dhe respektohet shumë nga vendasit dhe të huajt./n.m/