"Baladë Çame", Çel 'Javën E Çamërisë'
TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Promovimi i këngës Baladë çame shënoi hapjen sot në Tiranë të aktiviteteve Java e Çamërisë (21-27 qershor), organizuar nga Partia për Drejtësi dhe Unitet (PDU), Instituti për Studime Çame dhe Forumi "Zëri i gruas çame".
Në ambjentet e Shtëpisë së Oficerëve, politikanë, deputetë, artistë dhe personazhe të njohur nga Mali i Zi, Kosova e Maqedonia ishin të pranishëm në koncertin festiv që çeli sot pasdite aktivitetet promovuese për 'Javën e Çamërisë', që do të mbahet dhe në qytete të tjera të vendit.
Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi e konsideroi shumë të rëndësishme për komunitetin çam, çeljen e "Javës së Çamërisë", një javë që kremton, feston dhe bën homazh për të marrë forcë për ditën e 27 Qershorit, datë e shënuar e tragjedisë dhe genocidit ndaj popullsisë çame.
"Kjo është një ditë që na inspiron të gjithëve, jo vetëm për të mos harruar gjakun e mijëra viktimave të pafajshme të Çamërisë, që u vranë vetëm se ishin shqiptarë, por jemi këtu për të thënë që amanetin e tyre ne e kemi në zemër dhe ai trashëgohet. Ne jemi komunitet vital dhe në ADN-në tonë e kemi shumë të fortë Çamërinë dhe drejtësinë për çështjen çame. Në përpjekjet tona nuk jemi vetëm, por kemi gjithë popullin shqiptar", tha kreu i PDU-së.
Të pranishmit më pas ndoqën promovimin e këngës "Balade Çame", intepretuar nga Enkelejda Alushi, kompozuar nga Edmond Zhulali, me vargje të poetit Bilal Xhaferri.
'Java e Çamërisë' do të promovohet përmes një sërë aktivitetesh në Tiranë, Sarandë dhe në pikën kufitare të Qafë Botës./n.m/