English

Beqja: Gënjeshtrat nuk janë shkopi magjik që zgjidh krizën ekonomike

Tiranë, 21 qershor, NOA - Për Partinë Socialiste deklaratat e Kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë për rritjen ekonomike janë të pavërteta. Në një deklaratë për mediat deputeti i PS-së, Ilir Beqja hodhi poshtë të gjitha pretendimet e mazhorancës për situatë normale ekonomike në vend.

Ai theksoi se dhe deklarata e fundit e Kryeministrit Berisha se vendi ynë është në 10 vendet e para për rritje ekonomike në Europë nuk është e vërtetë.

Sipas tij, Kryeministri, “gënjeu në mënyrë të përsëritur edhe për raportin e Drejtorisë e Përgjithshme për Çështje Ekonomike dhe Financiare të Komisionit Europian. Në atë raport nuk ka asgjë nga çfarë thotë Sali Berisha. Nuk thuhet asnjë fjalë se Shqipëria është ndër 10 më të mirët në Europë”.

Beqja është ndalur dhe në deklarata e bëra nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Ministri i Financave, Ritvan Bode.

“Gënjeshtrat e kryeministrit, ministrit të financave apo guvernatorit nuk mund të jenë shkopi magjik që zgjidh krizën ekonomike. Këto gënjeshtra janë të rrezikshme për ekonominë shqiptare, për sipërmarrësit shqiptarë, për buxhetet e familjeve shqiptare”, u shpreh deputeti i PS-së, Ilir Beqja.

m.xh/NOA

KOMENTE