English

Berisha: Ps Të Votojë Ligjin "Për Gjykatën Administrative"

- Kryeministri Berisha shprehet i hapur të miratojë çdo amendament që do të paraqesë opozita për këtë ligj, me kushtin që të mos cënohen standardet e vendosura për sistemin gjyqësor - TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha ftoi sot opozitën që të paraqesë amendimet e nevojshme për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, një ligj që, sipas tij, kufizon arbitraritetin e qeverisjes qendrore apo lokale mbi bizneset shqiptare. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kreu i Qeverisë bëri një historik të shkurtër të këtij ligji, që 18 muaj më parë mori edhe votat e opozitës gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare. "Ne sërish jemi të hapur, cilatdo qofshin amendimet që do të sjellë opozita për të përmirësuar standardet e tij, përveç kushtit që nuk duhet të pranojmë të rikthehen në sistemin gjyqësor, persona që kanë lakmuar dhe ushtruar karrierë politike, për shkak të mosbesimit që ngjallin për njërën ose tjetrën palë. Mund të ndodh e kundërta, që gjykatësit apo prokurorët të marrin funksione në politikë me kushtin që të largohen nga profesioni i tyre", tha Kryeministri Berisha. Kompromisi që ofron maxhoranca, sipas Kryeministrit Berisha, është gatishmëria për të votuar çdo amendament të opozitës, me kushtin e vetëm që të respektohet neni që është votuar bashkë me opozitën, për sistemin tërësor gjyqësor". Sipas këtij neni, "nuk mund të futen më në sistemin e drejtësisë flukse nga politika, apo të tjerë përveç se nga magjistratura". "Kjo është oferta më e sinqertë. Në rast se pushteti nuk është i interesuar që ish-pushtetarët apo pushtetarët e tij të vendosen në krye të sistemit gjyqësor administrativ, atëhere nuk ka arsye pse duhet të jetë e interesuar opozita", tha Berisha. Duke i bërë thirrje opozitës të trajtojë me seriozitetin më të madh votimin e këtij ligji, Kryeministri Berisha informoi se "aktualisht 70 për qind e bizneseve në Shqipëri, në raport me sistemin tatimor janë në varësi totale të opozitës shqiptare". Sipas Kryeministrit Berisha, "i gjithë biznesi i vogël që përbën 90 për qind të biznesit shqiptar në raport me taksat dhe tatimet, administrohet tërësisht nga qeveritë vendore". Kreu i Qeverisë theksoi se "Qeveria qendrore merr nga këto biznese kontributin e sigurimeve shoqërore, ndërsa të gjitha taksat e tjera i ka nën kontroll dhe administrim pushteti vendor". "Nëse opozita nuk është e interesuar për arbitraritetin e pushtetarëve të saj ndaj biznesit, ajo voton ligjin e Gjykatës Administrative. Nëse opozita dhe grupi parlamentar i PS-së është i interesuar për një qeverisje të mirë vendore të qeveritarëve të saj, ajo voton pa humbur kohë ligjin", tha Kryeministri Berisha. Ai kërkoi që "opozita të dëshmojë vullnetin e saj për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, por edhe të qeverisjes qendrore, me miratimin e këtij ligji". "Nuk mund të them se qeveria nuk ka lidhje me biznesin. I tërë biznesi i mesëm dhe i madh administrohet nga autoritetet qendrore tatimore dhe jo lokale. Mendoj që në këtë reformë shumë të rëndësishme deputetët e gjithë spektrit votojnë për të kufizuar arbitraritetin qeveritar, qoftë ai qendror apo lokal mbi bizneset shqiptare", tha Kryeministri berisha. Kryeministri shprehu bindjen se "ky është një detyrim ligjor dhe moral shumë i madh si i qeverisë, ashtu edhe i opozitës, pasi biznesi është gjeneratori kryesor i zhvillimit, punësimit dhe prosperitetit". /s.s./
KOMENTE