Durrës, Festa Dhe Reshje Shiu Në .Fillim Të Verës
VERËS
DURRËs, 21 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Shtrëngatat dhe reshjet e shiut kanë vazhduar edhe sot paradite, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe udhëtarëve në disa nga kryqëzimet dhe rrugët kryesore të Durrësit.
Megjithatë festat e parashikuara nga institucione apo shoqata të ndryshme në fillim të sezonit turistik po zhvillohen pa pengesa.
Moti i keq ka nisur pikërisht ditët e fillimit zyrtar të stinës së nxehtë të vitit dhe sipas meteorologëve, reshjet e shiut dhe temperaturat e ulta do të vazhdojnë përsëri. Sot paradite, njëlloj si dje, rrugët në hyrje të qytetit si dhe në lagjet periferike të Spitallës, Porto Romanos dhe Shkozetit, kanë qëndruar disa orë nën pushtetin e ujrave, pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që derdhën mbi qytet sasitë që zakonisht shënohen si statistika javore apo mujore të reshjeve në qytetin bregdetar.
Ditët e solsticit veror kanë patur në Durrës një imazh aspak premtues për tre muajt e stinës më të nxehtë të vitit, gjatë së cilës në plazhet pranë qytetit mbërrijnë qindra mijra pushhues jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera. Sidoqoftë festat e përgatitura për pushuesit kanë vazhduar, duke sfiduar motin e keq dhe duke afruar veçanërisht të vegjëlit me pasuritë e patreguara të Durrësit.
Gjatë fundjavës, Autoriteti portual ka hapur për herë të parë dyert e mjediseve të portit më të madh të vendit, të cilat janë "pushtuar" nga qytetarët dhe vizitorët e shumtë të Durrësit si dhe nga veprimtaritë kulturore e artistike të çdo lloji.
Nesër në mbrëmje do të organizohet edicioni i 16-të i Festës së Detit, një veprimtari që do të kulmojë me koncertin e mbrëmjes në sheshin qendror të qytetit bregdetar.
Shirat në fillim të verës duket se nuk do ta pengojnë qytetin antik që të joshë përsëri mysafirët e shumtë, të cilët i frekuentojnë plazhet e tij më shumë se të gjitha hapësirat e tjera turistike të vendit./s.s./