English

Durrës: Mot I Paqëndrueshëm, Reshje Shiu Dhe Det I Trazuar

DURRËS, 21 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Moti i paqëndrueshëm, me reshje dhe shtrëngata shiu ka përfshirë për të dytën ditë radhazi rajonin detar të Durrësit. Burime zyrtare nga kapiteneria e Portit bënë të ditur për ATSH-në se reshjet e shiut pritet të rifillojnë përsëri gjatë ditës së hënë, duke penguar proçesin e përpunimit të anijeve tregtare për disa lloj mallrash, ndërsa nuk do të ketë shqetësime për trafikun e trageteve dhe anijeve në hyrje-dalje nga porti më i madh i vendit. Era me drejtim nga veriperëndimi nuk i ka penguar tragetet e linjës Bari-Durrës që të ankorohen në kalata sipas grafikëve të parashikuar, ndërsa nuk këshillohet dalja për gjueti e motopeshkatoreve të tonazhit të vogël. Sipas burimeve të kapitenerisë, në radën e portit detar ndodhen 8 anije tregtare, ekuipazhi i të cilave ka marrë masa për të forcuar qëndrueshmërinë në kushtet e stuhive të përsëritura detare brenda gjirit të Durrësit./s.s./
KOMENTE