English

Elbasan: Reshjet E Shiut, Dëme Në Kultura Bujqësore Dhe Probleme Në Qarkullim

ELBASAN, 21 Qershor/ATSH, Miranda Sadiku/ - Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë rajonin e Elbasanit nga fundjava e kaluar kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, si edhe dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore. Mustafa Arapi, shef i emergjencave civile, tha se "shirat kanë shkaktuar problem në disa fshatra malorë të rajonit të Elbasanit, ku ka pasur dhe rrëshqitje masive të dherave". Sipas tij "dy segmente të rrugës kombëtare Librazhd-Elbasan, në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit dhe Peqin- Elbasan, në vendin e quajtur Papër, qarkullimi automobilistik vazhdon të jetë problematik nga rënia e dherave dhe e masivëve me gurë nga kodrinat që ndodhen shumë pranë rrugës". Mësohet se në fshatrat e komunës Kukur në rrethin e Gramshit ka pasur dëmtim të të mbjellave, kryesisht të perimeve dhe vreshtarisë që janë shkatërruar nga breshëri i një nate më parë. Shirat kanë shkaktuar rrëshqitje masive të tokës në fshatrat e komunës Lunik të rrethit të Librazhdit, ndërsa një lagje periferike e këtij qyteti është përmbytur pjesërisht. Arapi deklaron se "në të gjitha zonat, ku situata është problematike, janë vendosur fadroma si edhe punonjës të Ndërrmarjes së Rrugëve Rurale, të cilët po bëjnë të mundur pastrimin e akseve rrugore nga dherat"./ch/
KOMENTE