English

Ethet hemoragjike, QSUT: Të sëmurët jashtë rrezikut

Tiranë, 21 qershor, NOA - Prej tre javësh, pavioni i sëmundjeve infektive në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë ka pritur 9 raste nga Kukësi me sëmundjen e rëndë infektive të etheve hemoragjike.

Mjekja infeksioniste, Najada Çomo thotë se vetëm fundjavën që lamë pas, u paraqitën në pavion 3 pacientë, njëri prej tyre mjaft rëndë. Sipas mjekes, ky pacient shfaqi shenjat më të rënda të kësaj sëmundje, por pas trajtimit mjekësor në spitalin Infektiv, gjendja e tij tani është jashtë rrezikut për jetën.

“Përveç këtij rasti, të gjithë pacientët e tjerë janë larguar në shtëpi, me gjendje të mirë shëndetësore”, thotë Çomo.

Me një urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, të gjitha rastet me ethet hemoragjike nga Kukësi do të referohen në spitalin Infektiv të QSUT, sapo laboratori i ISHP të konfirmojë virusin. Për këtë arsye, pavioni i Infektivit ka rritur nivelin e sigurisë për izolimin e të prekurve nga ethet hemoragjike.

“Kemi marrë masat mbrojtëse për të izoluar të sëmurët në dhoma të veçanta, ndërsa personeli mjekësor është urdhëruar të përdorë maskat kur viziton këta pacientë. Mund të themi se për ne nuk është hera e parë që ndeshemi me këtë sëmundje, dhe Infektivi ka përvojë për trajtimin ndaj kësaj sëmundje”, shprehet infeksionistja.

Që nga muaji maj kur u evidentua sëmundja e rëndë infektive në zonën e Kukës-Has-Tropojë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik janë instaluar në këto zona ku po monitorojnë masat për izolimin e virusit me qëllim mospërhapjen e saj më gjerë.

Njihen 10 lloje të etheve hemoragjike, por në Shqipëri qarkullojnë dy prej tyre.

Rastet e paraqitura në spital i përkasin etheve hemoragjike të kongokrimesë e cila përhapet nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit të ngushtë ndaj specialistët bëjnë thirrje që çdo rast i dyshuar me ethet, të paraqitet sa më parë te mjeku specialist.

m.xh/NOA

KOMENTE