Feith: Zgjedhjet E Suksesshme Në Partesh Tregojnë Se Kosova Po Bëhet Atdheu I Të Gjithë Qytetarëve
PRISHTINË, 21 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Zgjedhjet e suksesshme në Partesh tregojnë se Kosova po bëhet atdheu i të gjithë qytetarëve, tha sot Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith.
"I përgëzoj institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Parteshit për zgjedhjet e suksesshme, të cilat u mbajtën dje në komunën e re", tha Fith në një deklaratë të shpërndarë pak më parë nga zyra e tij.
Sipas tij, pjesëmarrja shumë e lartë, mbi 65%, është demonstrim i madh për gatishmërinë e popullsisë me shumicë serbe të Parteshit të përqafojë mundësitë e ofruara nga decentralizimi dhe vlerat e përcaktuara në Kushtetutë: shtet i lirë, demokratik dhe shumetnik, i cili është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj.
"Mbajtja e qetë e zgjedhjeve të organizuara nga institucionet e Kosovës pasqyron zhvillimin dhe progresin e tyre të vazhdueshëm", theksoi ai.
"Dje qytetarët e Parteshit e morën të ardhmen në duart e tyre. Duke zgjedhur udhëheqësinë e komunës së tyre të themeluar rishtazi ata kanë bërë demokracinë realitet për vete dhe kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të ndikojnë në çështjet që ata i brengosin më së shumti. Kjo është pjesë e procesit të decentralizimit, i cili është në vazhdim e sipër në tërë Kosovën. Ai i afron vendimmarrësit me popullin në mënyrë që qeverisja të bëhet më efikase dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarëve", tha Feith.
Ai shprehu bindjen që raundi i dytë i zgjedhjeve të jetë po aq i suksesshëm sa edhe raundi i parë. /s.s./