English

Gjiri I Meksikës - Bp Ishte E Informuar Për Defektin Në Sistemin E Sigurisë

ROMË, 20 qershor /ATSH-ANSA/ - BP ishte e informuar për të metat e sistemit të sigurisë në platformën Deepwater Horizon disa javë para se kjo e fundit të shpërthente, duke shkaktuar ndotjen e madhe në Gjirin e Meksikës, njoftoi sot BBC duke cituar një punëtor të platformës që i mbijetoi incidentit. Punëtori, Tyrone Benton, rrëfen për televizionin britanik se problemi nuk u riparua, se sistemi i sigurisë që ishte dëmtuar nuk u riparua por u ndalua duke u zëvendësuar me një sistem të dytë. Benton shton se përgjegjësia për mirëmbajtjen e sistemit të sigurisë ishte vet kompania që zotëronte platformën, "Transocean", e cila para incidentit kishte njoftuar se sistemin e dytë të sigurisë e kishte testuar me sukses. "Sistemi në fjalë - shpjegon BBC, quhet 'blowout preventer' (Bop), që parandalon rrjedhjet e gazit dhe është sistemi i sigurisë më kritik në të gjithë platformën, i aftë të ndalojë fluksin e naftës që nga burimi dhe projektuar për të parandaluar tragjeditë pikërisht si ajo e 20 prillit në Gjirin e Meksikës". "Truri i Bop - vazhdon të shpjegojë BBC - janë disa një si kontrolli (control pods) që tregojnë nëse ka parregullsi". "Vumë re një humbje në njësinë e kontrollit dhe informuam njerëzit e kompanisë. Këta të fundit qëndrojnë në një sallë kontrolli nga ku mund të ndiznin ose fiknin atë njësi kontrolli dhe të ndiznin një tjetër, në mënyrë që të mos ndërpritej prodhimi", deklaroi Benton. Por për një ekspert të intervistuar nga BBC, profesor Tad Patzek i Universitetit të Teksasit, "nëse ka një sinjal që Bop nuk po funksionon siç duhet, atëherë duhet të riparohet me çdo kusht". Benton deklaroi se shefi i tij i kishte informuar me e-mail kompaninë BP dhe Transocean për defektin në sistemin e sigurisë. Sipas tij, "të riparohet njësia e kontrollit, në vend që të aktivizohet një tjetër, rrjedhimisht do të ndërpritej aktiviteti prodhues i platformës, që kompanisë BP i kushtonte 500 000 dollarë në ditë". /e.v/
KOMENTE