Homoseksualiteti-Sëmundje Apo E Drejtë Njerëzore ..?!
TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Homoseksualiteti, sëmundje apo zgjedhje individuale?! Pas
deklarimit dhe pranimit të homoseksualitetit nga një pjesëmarrës në reality show "Big Brother 3" (BB3), pati reagime të shfaqura në forma të ndyshme. Ndërsa, një pjesë e shoqërisë shqiptare reagoi me protesta, mjaft Ambasadorë të trupit diplomatik në Shqipëri "nxituan" të sensibilizojnë shoqërinë shqiptare për të pranuar këtë prirje seksuale tek njerëzit si një e drejtë njerëzore.
Por, debati zhvillohet më i madh për shkak se shoqëria shqiptare është (shfaqet) konservatore ndaj prirjeve të tilla. Psikologu Edmond Dragoti thotë për ATSH-në se "fakti që ky grup është në minorancë bën që të diskriminohet, stigmatizohet e të refuzohet në shoqëri, në kultura totalitariste, siç është dhe shoqëria jonë".
Para viteve '90 homoseksualiteti në Shqipëri ka qenë dukuri e fshehtë dhe ndiqej penalisht, ndaj dhe ishte shumë i kufizuar. Por, pas këtyre viteve, pati një sërë ndryshimesh, sa i takon anës ligjore, me lejimin e hapjes së shoqatave për homoseksualët, për të mbërritur në shkurt të këtij viti, në miratimin e Ligjit "Për mbrojtjen nga diskriminimi", pjesë e të cilit janë dhe mbrojtja e personave me preferenca homoseksuale.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, minoritetet seksuale përbëjnë së paku 5 % të popullsisë së botës.
- Rrëfimi i Klodian Çelës -
"Të jetosh në falsitet dhe t'u tregosh njerëzve që ti je ai që ata duan, por që në fakt është ndryshe, më duket një shpenzim i kotë energjie", thotë Klodian Çela, pjesëmarrës në BB3, që ndau të fshehtën e tij me familjarët dhe gjithë shqiptarët që e ndiqnin përmes ekranit.
Me një shpirt artistik tashmë ai ka nisur jetën e tij normale. Thotë se u prit shumë mirë nga njerëzit pasi doli nga BB3, por nga tjetër tregon se pa familjarët disi të trembur, për shkak të protestave në Lezhë. "Kur dola nga BB3 pashë mamanë disi të trembur dhe më pas kur më treguan gjithçka kishte ndodhur, i dhashë të drejtë", thotë ai.
I kthyer tashmë në personazh, Klodi thotë që ka shumë gjëra të bukura tek ai, me të cilat duhet të merren njerëzit dhe jo me orientimin seksual.
Teksa ndalet tek përkrahja që i dhanë Ambasadorët e akredituar në Tiranë, ai thotë se të gjithë njerëzit kanë nevojë për mbështetje e buzëqeshje e secili duhet të kontribuojë për të thyer murin e diskriminimit.
- A mjafton një ligj?
Ligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi" është shumë i rëndësishëm dhe vlerësohet arritje, por nga ana tjetër duhet të zbatohet. Ndërsa vlerëson ligjin për të luftuar diskriminim në tërësi, jo vetëm të personave me prirje homoseksuale, por gjithashtu të racës, të gjinisë, etj, të rëndësishëm, Ambasadori holandez në Tiranë, Henk Van Den Dool, thotë se "ai duhet të zbatohet".
Zhvillimet pozitive në anën ligjore theksohen edhe nga shoqatat që operojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sipas tyre, ka ndërgjegjësim më të madh në nivel qeveritar e jo më larg se një muaj më parë, pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, u reformua Drejtoria e Shanseve të Barabarta, ku një person do të punojë lidhur me promovimin e politikave për mbrojtjen e të drejtave të personave me prirje homoseksuale.
Por, sipas Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), ka mungesë ndërgjegjësimi në aspektin e gjerë të politikës, nga njëra anë, e shoqërisë nga ana tjetër. "Partitë politike, Parlamenti, apo qoftë dhe përfaqësues të shtetit nuk tregojnë vëmendje ndaj respektimit të të drejtave të personave me orientim homoseksual, ose identitet gjinor të ndryshëm", tha për ATSH-në Hazizaj.
Ndërsa Ambasadori holandez përcjell mesazhin se diskriminimi i minoriteteve homoseksuale është dhunim i të drejtave të njeriut. "Askush nuk duhet që të dhunojë të drejtat e njeriut", nënvizon ai.
- Shoqëria-
Gjithnjë e më tepër shoqëria civile, organizatat jofitimprurës (OJF), po dëshmojnë se janë të gatshme dhe më aktive në mbrojtje të të drejtave të njeriut. "Rëndësi ka që çdokush të jetë i/e e respektuar në vendin e tij/saj, kushdo qoftë; fëmijë, i rritur, me aftësi të kufizuara, etj. Çdo njeri duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë, siç duam të trajtojmë dhe veten tonë", thotë Hazizaj.
Por, pavarësisht arritjeve ligjore apo përpjekjeve për sensibizim nga OJF, protestat në Lezhë ndaj Klodit dhe familjes së tij, apo dhe ngjarja e disa ditëve më parë ndaj një tranvestiti, të vetëquajtur Anxhela, që u atakua fizikisht, treguan që shoqëria shqiptare ka ende rrugë të gjatë për të bërë në drejtim të respektimit të të drejtave të individëve. "Shoqëria shqiptare, ndonëse ka bërë progres në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, përsëri kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave në përgjithësi, veçanërisht të personave me prirje homoseksuale, ka shumë për të bërë", shprehet Hazizaj.
"Ju mund të kujtoni çndodhi me Klodin në Big Brother, ai pranoi hapur homoseksualitetin dhe kishte një stufi protestash në qytetin e tij të lindjes, Lezhë, sepse njerëzit nuk kanë përdorur ende idenë që çdokush mund të jetë homoseksual dhe nuk ka keq apo mirë për këtë", thotë Ambasadori holandez.
Në rastin e Anxhelës janë marrë veprime që duhen lavdëruar nga ana e policisë, por jo nga ana e mjekëve, të cilët i dhanë ndihmën mjekësore dy orë me vonëse, thotë Hazizaj.
Ndaj, për të, puna kryesore dhe fokusi për ndryshimin e situatës është edukimi i fëmijëve per respektimin e te drejtave te njeriut. "Sot bota e zhvilluar edukon fëmijët të respektojnë individët, pavarësisht si janë, pavarësisht nga diferencat. Në një botë diverse, të gjithë jemi të ndryshëm, por të barabartë. Ndaj, duhet të punojmë me çështjet e arsimimit, sensibilizimit të shoqërisë", thotë ai.
- Homoseksualiteti- A është sëmundje?
Ky është debati dhe pikëpyetja më e madhe në mendjet e shumë njerëzve. "Popullata këtu, sikurse në vendet e tjera, duhet të përdorin idenë që homoseksualiteti nuk është sëmundje, apo rrezik, është vetëm dikush që ka preferenca seksuale që nuk janë të njëjta me shumicën e njerëzve. Nuk ka asgjë të veçantë, nuk është e rrezikshme, dhe duhet të pranohet si diçka absolutisht normale", thotë Ambasadori holandez.
Psikologu Dragoti sqaron se "homoseksualiteti është një dukuri natyrore, që vjen nga morali shoqëror, është pjesë organike e shoqërisë, dhe sa kohë që pjesa e rëndësishme lind dhe trashëgohet tek njeriu, nuk është në dorën e tij që të mos jetë homoseksual". Sipas tij, homoseksualiteti është një zgjedhje personale dhe orientim seksual dhe si e tillë nuk ndikon në marrëdhënien e tjera shoqërore psikologjike, ekonomike, etj.
Dragoti thotë se homoseksualiteti nuk transmetohet nga njëri tek tjetri në rrugë shoqërore./s.s./