English

Imami: Vizita E Forcave Detare Turke Nxit Bashkëpunimin Ushtarak Dypalësh

TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Një grup anijesh të Forcave Detare Turke, i përbërë nga pesë anije moderne luftarake, do të nisin nesër një vizitë treditore në portet e Durrësit dhe Vlorës, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në fushën ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e konsideron vizitën e ushtarakëve të marinës turke një ngjarje që kontribuon rritjes së bashkëpunimit ndërmjet flotës së Turqisë dhe Shqipërisë. "Turqia është një aleat i yni dhe marrëdhëniet me të janë shumë të mira. Vizita e forcave detare turke i shërben nxitjes së bashkëpunimit dypalësh me vendet anëtare të NATO-së, mes të cilave është edhe Turqia", tha në një prononcim për ATSH-në, ministri Imami. Sipas tij, vizita të tilla në portet e vendeve anëtare të NATO-s janë një praktikë e zakonshme që i kontribuojnë rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës në këtë fushë. Ardhja e anijeve turke bëhet pas miratimit në parlament të dhënies së lejes së hyrjes dhe qëndrimit të përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të një force ushtarake turke, e përbërë nga 1125 persona. Vizita e tyre zhvillohet në kuadrin e planit të bashkëpunimit dypalësh me Flotën e Republikës së Turqisë për këtë vit, ku krahas këtij aktiviteti nga pala turke ka pasur dhe trajnime të personelit shqiptar të Rojes Bregdetare për operacionet e kërkim-shpëtimit në det, kualifikime të kuadrove tanë në akademinë detare të Turqisë, ndihma logjistike etj. Vizita e pesë anijeve turke është një vizitë njohëse, ajo bëhet rregullisht mes dy vendeve anëtare të NATO-s ose jo anëtare, mbi bazën e marrëveshjeve respektive. /a.ke/
KOMENTE