English

Korçë: Mirëmbajtja E Muzeve Dhe Monumenteve Nxit Zhvillimin E Turizmit

KORÇË, 21 qershor /ATSH-Behar Fejzulla/ - Rritja e performancës së muzeve dhe monumenteve të kulturës nëpërmjet mirëmbajtjes, restaurimeve dhe rikonstruksioneve të tyre, ka ndikuar në nxitjen e zhvillimit të turizmit në rajonin e Korçës si dhe numrit të vizitorëve, që sivjet janë dyfishuar, krahasuar me një vit më parë, tha për ATSH-në drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Korçë, Artan Buzo. Korça dhe Pogradeci tërheqin turistë të shumtë, jo vetëm për shkak të klimës dhe bukurive natyrore, por dhe se në këtë rajon, gjenden një numër i konsiderueshëm muzeumesh, objekte kulti, pika arkeologjike, etj. Ndër më të vizituarat mbeten Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dhe ai Arkeologjik në Korçë, Tuma e Kamenicës, kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Bazilika dhe mozaiku i famshëm i Linit në rrethin e Pogradecit, kisha e Maligradit në Liqenin e Prespës, etj. Artan Buzo shton se këtë vit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka miratuar tre projekte, sikurse ai për rikonstruksionin e Manastirit të Shën Prodhonit në Voskopojë me vlerë 12.3 milionë lekë, ku do të restaurohen pikturat murale dhe ikonostasi, rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik në Korçë me 24 milion lekë dhe projekti për rikonstruksionin e kishës së Shën Mërisë në Vithkuq me vlerë 5.5 milion lekë./ch/
KOMENTE