Kosovë- Votimet Në Komunën E Re Me Shumicë Serbe Të Parteshit, Pjesëmarrja Mbi 65 Për Qind
PRISHTINË, 21 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Mbi 65 përqind e banorëve të komunës së re me shumicë serbe të Parteshit, në lindje të Kosovës, morën pjesë në zgjedhjet për organet lokale të kësaj komune, të krijuar sipas Paketës Ahtisaari.
Në procesin zgjedhor në Partesh, i vlerësuar i qetë dhe demokratik, garuan për 15 vendet në Kuvendin Komunal katër iniciativa qytetare serbe si dhe një parti politike, me gjithsej 81 kandidatë. Ndërsa, për kryetar komune ishin në garë katër kandidatë, dhe sipas rezultatit paraprak fituesi do të dalë nga balotazhi, pasi Nenad Cvetkoviç, i iniciativës qytetare "Zaviçaj", edhe pse ka marrë shumicën, nuk ka arritur 50 për qind të votave të nevojshme.
Me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës- Paketën Ahtisaari, është paraparë krijimi i pesë komunave të reja: Graçanicë, Kllokot-Vërbovc, Partesh, Ranillug dhe Mitrovicë Veriore, si dhe zgjerimi i komunës ekzistuese, Novobërdës, komuna këto të banuara me shumicë serbe.
Në tri komunat e reja - Graçanicë, Kllokot-Vërbovc dhe Ranillug është bërë konstituimi i kuvendeve dhe qeverive pas zgjedhjeve lokale të Kosovës të 15 nëntorit të vitit të kaluar, të clat janë mbajtur edhe në komunën e zgjeruar të Novobërdës.
Në dy komuna të tjera me shumicë serbe, në Mitrovicën e Veriut dhe në Partesh, zgjedhjet do të mbahen pas përfundimit të procesit të konstituimit të tyre.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i pyetur për votimet në Partesh, tha dje se "këto zgjedhje nga nëntori deri tani, me pjesëmarrjen edhe të komunitetit serb, kanë qenë një provë e mirë edhe për ta, për t'iu kthyer realitetit dhe perspektivës së përbashkët në shtetin tonë të përbashkët", duke shtuar se "alternativë tjetër nuk ka".
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, gjatë ditës së djeshme vizitoi qendrat e votimit në Partesh, ku ka inkurajuar serbët që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në kuadër të institucioneve të vendit dhe përmes votës së lirë. /s.s./