English

Kukës: Nis Dezinfiktimi I Zonave Të Prekura Nga Ethet Hemoragjike

KUKËS, 21 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Drejtoria rajonale e shëndetit publik e qarkut të Kukësit ka nisur dezinfektimin e zonave të prekura nga sëmundja infektive e ethes hemoragjike. "Kemi nisur dezinfektimi i fshatrave ku deri tani është konstatuar kjo sëmundje," tha drejtori i Drejtorisë Rajobnal i Shëndetit Publik Nikolin Martini. Sipas tij, dezifektimi ka nisur në fshatrat Tregtan, Vlahna, Fajza dhe Zgjeç në rrethin e Hasit, si dhe Gjegjan dhe Bardhok në rrethin e Kukësit. Deri tani janë evidentuar 9 persona të prekur me ethe hemorragjike, por situata, sipas zotit Martini, është nën kontroll. Nga të prekurit, ka patur vetëm një rast vdekjeje, një grua e cila ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës. Për monitorimin e situatës në qarkun e Kukësit, dje ka qenë i pranishëm edhe Drejtori i Shëndetit Publik Pëllumb Pipero. Në takimin me drejtuesit e shëndetësisë ai ka kërkuar marrjen e të gjitha masave për luftimin e sëmundjes, ndërsa ka premtuar "mbështetjen për gjithçka" nga Ministria e Shëndetësisë. Pipero ka porositur që "çdo rast i dyshimtë të dërgohet në spitalin infektiv të Tiranës". Sëmundja e etheve hemoragjike u shfaq në muajin qershor, pas të nxehtit të madh. Sëmundja e etheve hemoragjike nga viti '85 është shfaqur çdo vit në qarkun e Kukësit. "Të prekurit nga kjo sëmundje kryesisht janë të moshës 12-50 vjeç," konfirmoi zoti Martini. Ethet hemoragjike e kanë burimin e infeksionit te kafshët si miu e insektet, veçanërisht nga rriqra, që në këtë periudhë gjallon në të gjitha mjediset. Kjo sëmundje jep temperaturë, ethe dhe hemoragji të brendshme dhe, nëse nuk kurohet me shpejtësi, mund të shkaktojë vdekjen./ch/
KOMENTE