English

Masakër në Viti, 4 të vdekur

Viti (Kosovë), 21 qershor, NOA – Një përleshje me armë në komunën e Vitisë në Kosovë ka sjellë vrasjen e katër personave. Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit, në rrugën që çon drejt fshatit Kllokot, raportojnë mediat kosovare.

Të katër viktimat janë qëlluar me armë zjarri, por detajet e ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura nga policia. Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani ka konfirmuar faktin se katër persona kanë mbetur të vdekur në Viti.

Ai ka thënë për mediat kosovare se dy persona janë maqedonas dhe dy të tjerë janë kosovarë, por nuk ka dhënë sqarime në lidhje me shkaqet apo rrethanat e ngjarjes së rëndë. Ai ka shtuar se edhe identiteti i viktimave nuk dihet ende.

“Ngjarja e rëndë ka ndodhur herët në mëngjes, në hyrje të Vitisë. Nuk mund ta konfirmojë nëse bëhet fjalë për përleshje apo diçka tjetër, meqë hetimet po vazhdojnë”, ka thënë Hashani.

Vrasjen e shtetasve maqedonas afër Vitisë e ka konfirmuar dhe Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë(MPB), Gordana Jankullovska.

“Gjatë ditës presim më shumë detaje për këtë incident dhe se jemi në kontakt me autoritetet kosovare dhe gjatë ditës do të njiheni se çfarë ka ndodhur”, ka theksuar Jankullovska.

m.xh/NOA

KOMENTE