English

Matura- Nisin Përgatitjet Për Provimet Me Zgjedhje Të 30 Qershorit

TIRANE, 21 Qershor/ATSH/- Provimet me zgjedhje do të jenë dhe prova e fundit që maturantët duhet të kalojnë për të fituar një të drejtë studimi në degët universitare publike. Më 30 qershor do të zhvillohet dhe provimi fundit i maturës 2010, ku secili prej maturantëve për rreth katër orë do të testohet në dy provimet me zgjedhje të caktuara prej tij që në fazën e plotësimit të formularit A1. Hartimi i varianteve me pyetjet përfundimtare pritet të nisë pas dy ditësh, kur specialistët e përzgjedhur do të ngujohen në grupe në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, (AVA) për të caktuar pyetjet finale të testit. Për secilën nga 12 lëndët që do të jepet provim është hartuar një fond prej rreth 400 pyetjesh, nga ku do të merren dhe 20 kërkesat e testit përfundimtar. Sipas skemës së hartuar nga specialistët, në këto provime pyetjet do të klasifikohen në varësi të preferencave të bëra nga vetë maturantët dhe jo në varësi të llojit të shkollës, sikundër u veprua në dy provimet e detyruara. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë, si dhe 10 pyetje do të jenë me zhvillim, të cilat do të vlerësohen me 30 pikë në total. Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit dhe Shkencës, të cilët emërohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AVA-as. Pas përzgjedhjes së testit kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave. Kërkesat e provimeve do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë e me shtjellim të argumentuar. Gjithashtu, pjesë e sigurisë për mosrrjedhje të informacionit është edhe ruajtja e mjediseve të AVA-s nga forcat e Policisë së Shtetit. Ndarja e testeve do të bëhet vetëm pak orë para nisjes së orarit zyrtar të provimit. Për rrethet e largëta do të operohet me shpërndarjen e materialeve me helikopter. Ndryshe nga vitet e shkuara, për 2010-ën maturantët do të kenë më shumë lehtësira në përcaktimin e degëve që mund t'u japin statusin e studentit. Kjo për vetë faktin se plotësimi i formularit të dhjetë preferencave do të nisë pas shpalljes së të gjitha rezultateve të provimeve. Duke poseduar rezultatet, si dhe llojet e koeficienteve, maturanti do të ketë mundësi të bëjë vetë një llogaritje të rezultatit final, më pas ta krahasojë me pikët e fituesit të fundit të pranuar gjatë maturës së shkuar. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë mundësi që të përzgjedhë ato degë të cilat i japin më shumë propabilitet për të qenë fitues. Në rregulloren e provimeve të këtij viti është përcaktuar se maturantët do të shpallen fitues, vetëm nëse kanë mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë, çka do të thotë se nuk do ketë më tri apo katër raunde fituesish, siç ka ndodhur në vitet e shkuara./e.gj//a.ke/
KOMENTE