Gjenevë, 21 Qershor, NOA - Numri i njohjeve të kërkesave për azil në Evropë është rritur vitin e kaluar, por jo ndjeshëm. Megjithatë Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR) kritikon Evropën se po mbyll dyert.
Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve (20 qershor), Zyra e Evropiane e Statistikave, Eurostat publikoi shifrat e proceseve të azilit në Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë marrë vitin e kaluar 317.500 vendime për çështje azili, nga të cilat si refugjatë kanë njohur 78.800 vetë. 3. 000 vetë më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që vitin e kaluar u shtruan 261 000 kërkesa për azil në BE.
Rritet numri i kërkesave për azil
Numri i kërkesave për azil në Evropë është duke u rritur që nga viti 2006. Në atë kohë bëheshin vetëm 191.000 kërkesa të reja për azil në vit. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, gjatë shpërbërjes së ish- Jugosllavisë dhe luftërave në Ballkan, numri i kërkesave për azil në BE arriti 680.000.
Pjesa më e madhe e azilkërkuesve kanë ardhur në vititn 2009 nga Afganistani, Rusia, Somalia dhe Iraku. Numri i migrantëve nga Iraku është në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që ai i atyre nga Afganistani është në rritje. Grupi më i madh i refugjatëve të pranuar ka qenë vitin e kaluar nga Somalia (13.425), i ndjekur nga Iraku (13.130) dhe Afganistani (7.100)
Në krye, Britania e Madhe
Numrin më të madh të azilantëve e ka njohur në vitin 2009, Britania e Madhe (12.500), pasuar nga Gjermania, (12.500) dhe Franca (10.000). Franca ka patur numrin më të madh të kërkesave për azil. Vendet nga vijnë azilkërkuesit dhe kuotat janë të ndryshme nga vendi në vend. Kështu për shembull, Britania e Madhe ka patur një numër të madh azilkërkuesish nga Zimbabve, një ish-koloni britanike. Sa i përket statistikave, numrin më të madh të njohjeve të azilit e kanë patur rusët në Poloni. 2 500 rusëve iu njoh e drejta e azilit. Ata përbëjnë 95 përqind të azilkërkuesve rusë në Poloni.
Shumë është ulur numri i kërkesave për azil në Itali dhe Greqi. Të dy vendet përpiqen që ti kapin refugjatët që në det, dhe ti kthejnë në vendet nga vijnë. Italia i dërgon refugjatët në Libi, vend me të cilin ka lidhur marrëveshjen përkatëse. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara kritikojnë Greqinë për procese të mangëta azili.
I nevojshëm migrimi legal
Bashkimi Evropian do të unifikojë deri në fund të këtij viti politikën e azilit dhe procedimin për marrjen e azilit. Migrimi ilegal duhet të pengohet, thonë ministrat e brendshëm. Por migrimi legal, thotë Komisioni i BE-së, duhet të shtohet për të balancuar zvogëlimin e popullsive evropiane. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ekziston rreziku i një kolapsi të sistemeve ekonomike dhe sociale, sidomos në vendet e reja anëtare të BE-së si dhe në Gjermani. Sipas vlerësimeve aktualisht në BE jetojnë tre milionë migrantë ilegalë. Spanja, Franca, Portugalia dhe Italia, i kanë dhënë viteve të fundit statusin legal qindra mijëra migrantëve ilegalë.
DVelle