English

Milazim Salihu: Bekim Fehmiu u tërhoq për shkak të Kosovës

Prishtinë, 21 Qershor, NOA – “Bekim Fehmiu, prej viteve ‘89-’90, ishte te grevat e minatorëve, është solidarizuar, ka qenë në Prishtinë, në kafenetë e Pallatit të Rinisë... Nga skena është tërhequr për shkak të çështjes së popullit të vet, që po torturohej”, thotë miku i tij, Milazim Salihu, xhirues filmik.

“Bekimi ka qenë tepër i madh, tepër i paarritshëm për këtë komunitet, si artistik, si politik… Koha do ta tregojë se Bekimi është i pavdekshëm”.

Zoti Salihu, si e keni pritur lajmin për vdekjen e aktorit Bekim Fehmiu? Rëndë, pabesueshëm… Isha në Kinemanë ABC, para se të ik në shtëpi, dëgjova nga mediat, mu duk si ëndërr dhe menjëherë mora në telefon familjarët në Prishtinë, familjarët dhe profesorin Fatmir Fehmiu. Bisedoj me të, ai nuk dinte asgjë dhe e pyes “a je dëgjuar me Bekimin”, se zakonisht në qershor të gjithë e prisnim, si ne në Kinemanë ABC, si familjarët. Më 1 qershor ka pasur ditëlindjen, 74 vjeç, jemi dëgjuar, ai s’ka dashur urime kurrë, por jemi përkujtuar… Ai (Fatmiri) tha që janë dëgjuar dje dhe si zakonisht e presim këto ditë, por nuk tregon ditën kur… Unë e mbylla telefonin dhe insistoj ta marr në Beograd. Në Beograd lidhja e zënë dhe pas 3-4 minutave lirohet dhe paraqitet bashkëshortja, Branka Petriq, në vaj: “Milazim, na la Bekimi”. Unë i thashë - si është e mundur, askush nuk di asgjë... Unë dëgjova nga lajmet, por ajo tha se është e vërtetë dhe se para 40 minutash ka bërë vetëvrasje. Pata fuqinë ta lus që t’i lajmërojë familjarët në Prishtinë, sepse nuk dinë asgjë. Pas 10-15 minutave u përhap lajmi, edhe familjarët e kuptuan se Bekimi na la. Vështirë, por zgjidhja ka qenë e tij. Si gjithmonë, për çdo gjë që ka zgjedhur Bekimi, për jetën e vet, për aktrimet, për rolet, edhe këtë e ka bërë në suaza të rolit jetësor.

Ju jeni drejtor i Kompanisë “Genci”, e cila menaxhon Kinemanë ABC në Prishtinë. Pak më herët thatë se viteve të fundit, gjatë muajve të verës, aktori Fehmiu ka qëndruar në Kosovë dhe kryesisht takimet me miqtë i ka zhvilluar në këtë kinema. Si i përkujtoni ato ditë? Bekimi s’ishte vetëm te kinemaja. Bekimi, prej viteve 89-90 ishte te grevat e minatorëve, është solidarizuar; ka qenë në Prishtinë, në qendër, në ato kafenetë e Pallatit të Rinisë, në ëmbëltoren “Elida”, takime, biseda…pas tërheqjes së tij të fundit, më ’87, kur është tërhequr definitivisht, për shkak të arsyeve të bëra publike, për shkak të çështjes së popullit të vet që po torturohej. Prejse është tërhequr nga skena teatrore, më shumë ka ardhur në Prishtinë dhe prej atëherë jemi takuar çdo vit gjatë verës, sepse në këto vitet e fundit zakonisht vinte në qershor e deri në fund të gushtit. Pushimet i përfundonte në Prishtinë me miq e me dashamirë. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, me renovimin e Kinemasë ABC ka qenë çdo vit pjesë e kësaj kinemaje. Të gjitha takimet, të gjitha bisedat, gjithë kohën e lirë e ka kaluar në Kinemanë ABC. Bekimi ka qenë tepër i madh, tepër i paarritshëm për këtë komunitet, si artistik, si politik… Koha do ta tregojë se Bekimi është i pavdekshëm.

Ju keni qenë edhe mik me Bekim Fehmiun. A keni biseduar me të lidhur me vitet e vonshme të jetës së tij dhe a ka qenë i hapur në këtë drejtim? Bekimi ka qenë i hapur prej lindjes e deri në ditën e fundit të jetës me çdonjërin. Çdonjërit, për çka ka dashur të bisedojë e ta pyesë, ai i ka dhënë përgjigje. Ka qenë i hapur edhe për problemet e viteve ’70, viteve ’80, me kineastët, me Teatrin e Kosovës... Të gjitha ato i ka treguar, ua ka treguar miqve, atyre që kanë qenë të interesuar të dinë se pse Bekim Fehmiu nuk është prezent në teatrin tonë, pse nuk është prezent në filmat tanë. Të gjithë ata që kanë biseduar me të e dinë se Bekim Fehmiu ka qenë i gatshëm të punojë, por të punojë ashtu siç punohet në botën e civilizuar, me marrëveshje, me kontrata, me profesionalizëm. E këtu nuk e ka gjetur atë bashkëpunim. Në vitet e vonshme, pas tërheqjes, nuk ka dashur më. Ka pasur lloj-lloj ofertash edhe prej Shqipërisë. Bekimi është zhgënjyer në njerëzit tanë e fajtorë janë njerëzit tanë. Koha do të tregojë se njerëzit tanë dhe kineastët tanë janë fajtorë, sepse nuk kanë qenë përgjegjës për punën që kanë dashur të bëjnë me Bekimin.

A është kjo arsye për të cilën Bekim Fehmiu nuk ka xhiruar asnjë film në gjuhën shqipe? Janë shumë arsye. Profesionalizmi ka munguar te njerëzit tanë. Edhe në ’79-ën, edhe në ’80-ën, në akademi kur ka ardhur, njëqind herë është zhgënjyer në njerëzit tanë që kanë udhëhequr atë akademi. Njerëzit janë gjallë, mund të pyeten, pse, qysh, kur… Edhe në Shqipëri njëjtë, Kujtim Çashku… me të gjitha intervenimet e miqve të Kujtim Çashkut, deri te i ndjeri Ibrahim Rugova, kanë insistuar që ta marrë një rol në filmin e Kujtim Çashkut Bekim Fehmiu. Çashku e pranon dhe thotë se s’ka pasur mundësi ta ndryshojë atë që ka kërkuar Bekimi... Për atë, Bekimi s’ka mundur, sepse ai e ka dashur profesionalizmin, i ka dashur rregullat e botës së civilizuar. Për atë është Bekim, për atë ka luajtur në Hollivud, në Itali dhe gjithkund, sepse i është çmuar profesionalizmi dhe niveli. Te ne nuk e ka gjetur; njerëzit tanë janë ata që nuk kanë mundur ta ofrojnë Bekimin. Viteve ’90 u shkatërrua Televizioni i Prishtinës, unë isha atje, humbëm kohën dhe le të bëjmë tani diçka... E kam lutur Bekimin: Bekim a do të kishe ardhur me mua të bëjmë diçka për njerëzit tanë të artit, se të politikës nuk na interesojnë, por të punojmë se jemi pa televizion… Po, tha, gjithkund, por me ty. Kemi shkuar në Lugano, te varri i Aleksandër Mojsiut, me disa miq jemi ulur, kemi biseduar. Në atë kohë ishte “bos i madh” i ashtuquajtur Hajdin Sejdia. Po, tha, unë do ta financoj filmin për Aleksandër Mojsiun. E kemi marrë përsipër, kemi ardhur në Kosovë, kemi biseduar me disa regjisorë, mos t’i cek tashti emrat, dhe asnjëri nuk ka mundur ta kryejë atë punë për të cilën jemi marrë vesh. Edhe Bekimi tha: A u vërtetove se nuk mund të punoj këtu në Kosovë; a isha i gatshëm – po... Këto janë të vërteta të gjalla, janë njerëzit gjallë. E gjithë Kosova kanë qenë miq të tij; kush ka dashur, ka mundur të pijë kafe me të, të dialogojë, të bisedojë, të interesohet për jetën e tij. Ka qenë i hapur si me fëmijën, si me artistin më të madh të Kosovës, si me studentin e akademisë…

Jo rrallë nga njerëzit në Kosovë është shtruar pyetja se pse Bekim Fehmiu nuk ka ardhur të jetojë në Kosovë. A keni diskutuar ndonjëherë lidhur me këtë çështje me mikun tuaj Bekimin? Po, kemi biseduar. Thoshte se jeton edhe në Kosovë, familja është në Kosovë, prindërit janë të varrosur në Prizren, një pjesë e familjes është në Prizren, një pjesë në Prishtinë. Ai çdo vit ishte këtu. Unë, thoshte ai, i përkas edhe Kosovës, edhe Shqipërisë, edhe gjithë rruzullit tokësor. Familja e tij e ngushtë, dy djemtë i ka në Amerikë; bashkëshortja, që është aktore, është ende në Beograd. Adresë ka pasur në Beograd, por ka jetuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Evropë. Ku ka qenë e nevojshme, Bekimi ka qenë prezent.

A ka ndonjë episod me aktorin Fehmiu që juve ju mbetet në kujtesë si diçka e pashlyeshme? Po, ishte tranzicioni në Kosovë, Kosova e shkatërruar, fillimi i luftërave në Bosnjë, Shqipëria e dalë nga një sistem… por, nuk kishim shtet. Kam pasur rast dhe fat në një udhëtim në Itali, në Aeroportin e Milanos, na prisnin disa miq për disa takime me punë në Zvicër, por ishim në udhëtim nga Italia… Bekimi e dha pasaportën, policia e detyroi të heqë kapelën, ai e hoqi kapelën dhe u ngritën policia, dogana, u bllokua Aeroporti i Milanos për gjysmë ore për të pirë kafe doganierët, policët me Bekim Fehmiun. Unë, për herë të parë, përjetova diçka të papërjetueshme. Unë, si shqiptar i vogël, pas Bekimit, e pyes se çfarë po ndodh, a është e mundur… Unë e dija se kush është Bekim Fehmiu, por se e njeh polici, doganieri dhe çmohet aq shumë, kurse ne e injorojmë njeriun tonë – aty e kuptova. Kjo është e vërteta për mikun tim dhe të të gjithë shqiptarëve – Bekim Fehmiun.

“Europa e Lirë”

KOMENTE