English

Nafta nis të rrjedhë edhe në Detin e Kuq, alarmohet qeveria e Egjiptit

Kajro, 21 Qershor, NOA – Pas katastrofës natyrore mbi rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, e cila ka tronditur publikun amerikan prej javësh, tashmë një lajm i ngjashëm mbërrin edhe nga Egjipti.

Kështu, qeveria e këtij vendi afrikano-verior ka konfirmuar rrjedhjen e naftës në njërën nga platformat që operojnë brigjeve të pushimores Hurgada në Detin e Kuq.

Ajo është alarmuar pasi ky qytet është njëri nga destinacionet kryesore turistike të këtij vendi, ndërsa nafta i ka lagur plazhet e zonës.

Zëdhënësi i qeverisë tha se sasia e naftës së rrjedhur është “e kufizuar”, por nuk përcaktoi sa është ajo.

Gjithsesi, ai sqaroi se derdhja ishte regjistruar javën e kaluar dhe se kryesisht është mbledhur, pa dhënë alarmin për ndonjë katastrofë si ajo e Gjirit të Meksikës.

n.e/NOA

KOMENTE