English

Nisi Sot Instalimi I Kasave Fiskale Për Biznesin E Vogël

TIRANE 21 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Nisi sot instalimi i kasave fiskale për bizneset e vogla. Deri tani ky proces ishte ndalur për shkak të rregullores mbi standardet e reja që duhet të përmbushin këto makineri, të nxjerrë nga Ministria e Financave. Ndërksa mbeten vetëm 9 ditë deri në instalimin me kasa fiskale të 30 mijë bizneseve të vogla, kompanitë që bëjnë instalimin e tyre, theksojnë se procesi i pajisjes me kasa për biznesin e vogël do të bashkëshoqërohet dhe me zëvendësimin e atyre të vjetra. Sipas përfaqësuesve të tyre, nuk do të ketë më shtyrje të afatit nga ana e minsitrisë. Procesi i instalimit të kasave fiskale u ndal për më tepër se një muaj, pasi u konstatuan se mund të kishte ndërhyrje në sistem, përmes kasave të vendosura më parë dhe Ministria e Financave urdhëroi hedhjen në treg të makinerive me standarde më të larta sigurie. Në bazë të udhëzimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, brenda qershorit 2010, personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës, Fierit, Lushjes, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës duhet të pajisen me kasat e reja. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull,Orikum, Himarë dhe Ksamil. DPT njoftoi se muaji dhjetor 2010 do të jetë afati i fundit për pajisjen me kasa fiskale për të gjithë tatimpaguesit e tjerë të biznesit të vogël. Tatimpaguesit, që shesin mallra, prodhime, apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale dhe njësi të hapura për publikun, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, detyrohen të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme, kuponin tatimor. Gjatë periudhës kur nuk ka energji elektrike, biznesi do të përdorë metodat alternative si faturat e dorës, apo alternativa të tjera dhe në rastet kur gjatë kontrollit do të gjenden parregullsi, atëherë do të ketë penalizime për biznesin. Ligji për vendosjen e pajisjeve fiskale është cilësuar nga qeveria si hap i suksesshëm në drejtim të uljes së informalitetit dhe evazionit fiskal. Pajisja e biznesit me kasa fiskale është një proces që realizohet për herë të parë në Shqipëri. Gjatë 20 viteve të fundit është tentuar vazhdimisht instalimi i pajisjeve fiskale te subjektet private, por ky proces ka dështuar. Sivjet, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka shpallur këtë projekt prioritar, duke deklaruar vazhdimisht se nuk ka kthim prapa./n.m/
KOMENTE