English

Poloni - Zgjedhje - Lech Walesa Paralajmëron Për Rrezikun E Rikthimit Të Kaczynskit Në Pushtet

VARSHAVË, 21 qershor /ATSH-AFP/ - Lech Walesa, lideri historik i sindikatës polake "Solidarnost" paralajmëroi sot për rrezikun e rithimit në pushtet në Poloni të Jaroslaw Kaczynski i cili fitoi dje turin e parë të zgjedhjeve të parakohshme presidenciale. "Ju paralajmëroj, Kaczynski është një fatkeqësi", deklaroi në televizionin TVN24 Walesa, ish-presidenti i cili ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me vëllezërit binjakë Jaroslaw dhe Lech Kaczynski, përfshirë edhe vitet 90 kur ai ishte president, përpara se të prishej me ta. "Polonia nuk duhet të përdoret si kavie. Polonia bën pjesë në një konfiguracion evropian. Me fqinjët duhet të negociohet dhe të mos kërcënohen ata për diçka të vogël, të mos fyhen", deklaroi Walesa. Ai iu referua bllokimit të institucioneve evropiane dhe marrëdhënieve të vështira me Rusinë dhe Gjermaninë nga korriku i vitit 2006 deri në nëntor të vitit 2007, në kohën kur Jaroslaw Kaczynski ishte kryeministri i vëllait të tij, presidentit Lech Kaczynski, i cili vdiq në prill në një aksident ajror. Jaroslaw Kaczynski, 61 vjeç, fitoi në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale me një mbështetje prej 36,74 për qind të votave, pas presidentit të përkohshëm Bronislaw Komorowski të Partisë proevropiane Plateforme Civique (PO, liberale), i cili mori 41,22 për qind të votave. Turi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 4 korrik. /I.Pu.
KOMENTE