English

Pushimet, maqedonasit gati për në Shqipëri

Shkup, 21 Qershor, NOA – Agjencitë turistike në Maqedoni kanë vënë si prioritet organizimin e pushimeve për në Shqipëri. Përgatitjet janë bërë dhe se prej kësaj jave fillon edhe vala e parë e pushuesve që do të shkojnë për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Edhe maqedonasit po preferojnë të kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, por varësisht se për cilën klasë të qytetarëve bëhet fjalë.

Nga agjencia turistike “Babylon” në Shkup bëjnë të ditur se bregdeti shqiptar është më i preferuar, sepse ofron mundësi për të kaluar pushime për kategoritë e ndryshme të qytetarëve.

“Ofertat janë të ndryshme dhe ka nga ato më të lira e deri më të shtrenjtat. Riviera shqiptare është shumë e pasur, duke nisur nga Saranda e deri në Dhërmi, ku ka një kategori të caktuar të klasës më të lartë që preferon për të kaluar pushimet në këto pika turistike, ku me të madhe ka edhe turistë nga vendet e ndryshme evropiane, por nga ana tjetër është edhe Durrësi dhe Vlora, duke përfshirë më lartë edhe Shëngjinin, ku mund të kalosh pushime me çmime tejet të volitshme dhe të lira”, ka theksuar agjentja e kësaj agjencie, Sanja, e cila thekson rritjen e interesit për detin shqiptar gjatë këtij sezoni veror.

Rrugëtimi i afërt

Gjatë fundjavës ka pasur një fluks të madh të turistëve nga Maqedonia, që po udhëtonin drejt destinacioneve turistike shqiptare.

Vendkalimi kufitar Qafë-Thanë që nga kjo periudhë ishte ngarkuar me radhët e gjata të veturave, një pjesë e të cilëve pohonin se po shkonin për të kaluar pushimet që tani, ndërsa një pjesë tjetër për të caktuar pikën turistike për muajt e ardhshëm. “Unë po shkoj tani në Sarandë, për të parë vendin dhe të shoh e të prenotojë pushimet atje. Kam dëgjuar se bëhet mirë, sepse herëve tjera kam kaluar pushimet në Golem të Durrësit”, shprehet Sabiu nga Kërçova, i cili për çdo vit thekson se viziton rivierën shqiptare për të kaluar pushimet.

Edhe agjencitë turistike gjatë kësaj jave do të lëshojnë udhëtimet e para për në bregdetin shqiptar. Një biletë për të udhëtuar drejt Durrësit kushton prej 20-25 euro, ky çmim është për një biletë kthyese.

“Çmimet do të jenë sikur vitin e kaluar, por do të shohim që të vendosim një limit të caktuar që të jetë i pranueshëm edhe për pushuesit, por edhe për ne si agjenci”, kanë theksuar nga agjencia turistike “Marigona”, e cila organizon udhëtime për në Durrës. Agjencitë turistike nga Maqedonia deri tani nuk kanë hapur linja udhëtimi me autobus për në Sarandë, por kjo gjë paralajmërohet nga ta që të vihet në funksion në të ardhmen. Por shkuarja për në Sarandë, tanimë është shumë lehtë dhe shpejtë për shkak të lëshimit në përdorim të autostradës nga Vlora që çon drejt pjesës më të thellë jugore të bregdetit deri në Sarandë, duke shkurtuar për disa orë udhëtimin. Shumica e pushuesve nga Maqedonia planifikojnë që me veturat e tyre familjare të udhëtojnë drejt këtyre destinacioneve.

Mediat maqedonase favorizojnë rivierën shqiptare

Një numër i madh i medieve maqedonase gjithashtu favorizojnë dhe e shohin si pikën numër një turistike, e cila preferohet sivjet nga shtetasit e Maqedonisë. Një pjesë e qytetarëve maqedonas preferojnë të kalojnë pushimet në vendin fqinj. Gazeta “Dnevnik” më parë ka shkruar se bregdeti shqiptarë është më i mirë dhe më i preferuar për qytetarët e Maqedonisë, sidomos për shkak të preferencave, ofertës më të volitshme dhe kushteve për të kaluar pushimet. Afërsia, udhëtimi me veturë, siguria dhe kushtet e tjera janë gjitha ato që shumica e maqedonasve preferojnë të kalojnë pushimet në rivierën shqiptare, sidomos në Sarandë, Vlorë e Durrës. “Derisa në Greqi ka krizë dhe po mbretëron urrejtja për shkak të problemit të emrit, në Bullgari pasiguri për shkak të grabitjeve të veturave dhe gjësende tjera, për shkak largësisë që gjendet Turqia, shumica e qytetarëve të Maqedonisë preferojnë të kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, dhe kjo bëhet nga shkaku i rrugëve të mira, sigurisë dhe leverdisë dhe llojshmërive që sjellë bregdeti shqiptar”, shkruajnë mediat maqedonase.

Kosova megjithatë prin para Maqedonisë

Pushuesit nga Kosova pritet të jenë me numër më të madh në krahasim me vendet e tjera fqinje. Oferta e larmishme dhe tejet të lira që kanë nisur ti ofrohen pushuesve që synojnë bregdetin shqiptar, janë arsyet se përse duhet të kalohen pushimet në Shqipëri. Agjencitë turistike kanë filluar sezonin 10 ditë me herët dhe janë hapur edhe linja të reja direkte. Çmimi për biletë kthyese është nga 10-15 euro.

Sipas gazetës “Express”, autobusi tash e tutje nuk do të ndalet vetëm në Durrës. Agjencitë kanë krijuar edhe linja të tjera direkte, për Sarandë, Vlorë, Dhërmi dhe Himarë. Krejt kjo për shkak të interesimit të lartë.

Në përgjithësi, statistikat zyrtare në fillim të sezonit flasin për rritje prej 10 për qind të turisteve në bregdetin shqiptar. Në periudhën 1 maj deri 12 qershor 2009, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 900 mijë turistë. Ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti janë regjistruar 1 milion pushues, apo 100 mijë më shumë. Shumica prej tyre janë turistë nga Kosova.

NOA-INA

KOMENTE