Rama Falenderon Daul Dhe Shultz Për Përfshrirjen E Tyre Ne Zgjidhjen E Krizes Politike Ne Vend
TIRANE, 21 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ .- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka drejtuar një letër krerëve të dy grupimeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, atij të Partive Popullore Europiane, Joeph Daul dhe kreut të Partive Socialiste Europiane, Martin Shultz, në të cilën i falenderon për përfshirjen e tyre në zgjidhjen e krizës politike në vëndin tonë.
Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se në letrën e tij, Rama i fton krerët e grupeve politike në PE që të mos tërhiqen nga angazhimi për të ndihmuar Shqipërinë që të dalë nga situata në të cilën ndodhet.
Sipas tij, "qeveria ka mbajtur një qëndrim tërësisht të ngurtë për krizën", ndërsa shpreh gatishmërinë e opozitës për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut.
Rama nënvizon në letrën e tij se "shqiptareve u duhet medoemos një përpjekje nga të gjitha forcat politike për të kapercyer hendekun e hapur mes tyre dhe Europës, duke i hapur rrugë transparences si edhe një sërë reformash jetike për demokratizimin, modernizimin dhe integrimin e vëndit"./s.s./