English

Rama letër Daul e Schulz: PS pranoi zgjidhjen e krizës, PD refuzoi

Tiranë, 21 qershor, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama me anë të një letre dërguar dy përfaqësuesve të grupimeve parlamentare të Parlamentit Europian, Martin Schulz dhe Joseph Daul, kërkon sërisht ndërhyrjen e tyre për zgjidhjen e situatës politike në vend.

Në letrën e tij, Rama thekson se Partia Socialiste e pranoi ofertën e bërë në darkën e Strazburgut, ndërkohë që mazhoranca nuk ka bërë asnjë lëshim.

“Opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes duke shkuar edhe përtej ofertës që ne vetë bëmë në darkën e Strasburgut. Në fund të bisedimeve që pasuan ne e pranuam pa ngurrim edhe atë që për ne ishte e pamundur në atë darkë, ndërsa pala tjetër e refuzoi kategorikisht siç refuzon tash 10 muaj çdo zgjidhje që garanton transparencën e kushtetutshmërinë”, shkruan Rama në letrën e tij dërguar dy kryetarëve të grupeve parlamentare në PE.

Kreu i PS, Rama shprehet në letrën e tij se shpreson se eurodeputetët nuk do të tërhiqen nga angazhimi i tyre për zgjidhjen e situatës politike në vend.

“Kjo letër falënderimi e mirënjohjeje për interesimin Tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë, është në të njëjtën kohë edhe një lutje për të mos hequr dorë nga nisma Juaj shpresëdhënës pavarësisht përfundimit negativ të përpjekjes së parë”, ka thënë Rama.

m.xh/NOA

KOMENTE