Nju Jork, 21 Qershor, NOA – Mos zgjidhja e krizës politike në Shqipëri dhe vijimi i saj, mund të pengojë proceset integruese të Shqipërisë, ka qenë mesazhi që kreu i qeverisë greke, Jorgos Papandreu i ka lëshuar kreut opozitar shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi të përbashkët në Nju Jork.
I zhvilluar në kuadrin e pranisë së një delegacioni të selisë rozë në Këshillin e Internacionales, që u mbajt sot në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, takimi vuri përballë njëri-tjetrit dy krerët e së majtës shqiptare dhe asaj greke.
Sipas burimeve pranë takimit, raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA se në qendër të takimit Rama-Papandreu ka qenë kriza politike në vend.
Në fjalën e tij kryeministri grek ka bërë apel për zgjidhje sa më të shpejtë të situatës politike, ndërsa kreu socialist shqiptar i ka pohuar se Partia Socialiste nga ana e saj ka bërë të pamundurën për gjetjen e zgjidhjes së duhur.
Ndërkaq, kryetari socialist Edi Rama, i shoqëruar edhe nga sekretarja ndërkombëtare e PS-së, Arta Dade e deputeti Taulant Balla, i kanë paraqitur shqetësimet për situatën aktuale politikë në vend edhe me përfaqësues të lartë të Internacionales Socialiste.
Mësohet se ata e kanë ngritur këtë shqetësim në takimet e veçanta edhe me drejtues të delegacioneve të tjera të pranishme në këtë aktivitet, me të cilët kanë diskutuar rreth problemeve që ka politika shqiptare.
n.e/NOA