Reportazh/Poliçani, Fshati Me Potenciale Të Mëdha Për Zhvillimin E Turizmit Natyror
R
GJIROKASTËR, 21 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Dikur, rreth 400 vjet më parë, në fshatin Poliçan, 40 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës, numëroheshin 700 familje me 3 mijë banorë. Ndërsa sot, pas katër shekujsh, jetojnë vetëm 60 familje me 350 banorë.
Por, Poliçani, fshati që shtrihet në malin e Zagorisë ka një peizazh natyror të mrekullueshëm dhe shumë banorë të tij, megjithëse jetojnë në qytet ia dinë vlerat kësaj zone që mbart një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit natyror.
Panajot Kuro, 28 vjeç, oficer kredie në Alfa Bank në qytetin e Gjirokastrës, thotë se çdo fundjave braktis zhurmën urbane për t'u qetësuar pranë familjes, në Poliçan.
Ai thotë se asnjëherë nuk ka menduar të braktisë vendlindjen, edhe pse mundësitë i ka pasur.
"Njerëzia këto vende i kërkon me qiri, ndërsa unë pothuajse e kam të shtruar", thotë Kuro, duke nënvizuar se banorët e zonës janë të lidhur shumë me blegtorinë.
Sipas tij, qumështi prodhohet me cilësi të lartë, falë bujarisë së natyrës, ndërkaq tregu është i sigurtë.
"Grumbullimi i qumështit është eskluzivitet i fabrikës së prodhimit të djathit "Gjirofarma", ndërsa Rrapi i Poliçanit, 280 vjeçar, në lartësinë 750 metra mbi nivelin e detit, është vendtakimi i blerësit dhe shitësit", tregon Kuro, duke shpjeguar se rrapi në formë ombrellore të rregullt ndodhet në qendër të fshatit, në gjendje vegjetative, është i lartë 30 metra, diametër 104 cm dhe perimetër 350 cm.
Poliçani, fshati që përfshihet në komunën e Pogonit, ka si simbol lisat, në lartësinë afro 770 metra mbi nivelin e detit dhe që dallohen për formë të rregullt të kurorës.
"Lisat kanë një lartësi që varion nga 20-27 metra, diametri i trungut 160-170 cm dhe kanë një moshë mesatare 200-vjeçare", shpjegon Kuro, duke nënvizuar se këto pemë kanë vlera estetike, turistike dhe biologjike.
Nga ana tjetër, Zoica Sterjo, 24 vjeç, nga fshati Zhep, studente e mjekësisë në SHBA, mendon se fshati Poliçan ka potenciale të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit natyror.
Një vit më parë, thotë Sterjo, ka nisur të ndërtohet rruga e re Dhrimadhe-Pogon, me gjatësi 25 km, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare me Bashkimin Europian, me vlerën 1.2 milionë euro.
Sipas saj, banorët e zonës duhet të përmirësojnë që tani infrastrukturën hoteliere, pasi në të ardhmen sektori i turizmit natyror do të jetë konkurrues.
"Në Amerikë turizmi natyror gjithnjë e më shumë po shndërrohet në furnizuesin kryesore të ekonomisë me të ardhura", mendon Sterjo, duke theksuar se turistët gjithmonë kërkojnë të eksplorojnë zona të virgjëra, duke nënkuptuar se fshati Poliçan është një destinacion i tillë.
Sipas saj, arti i kulinarisë është mjaft i pasur dhe prodhimet bujqësore janë BIO.
Taqi Zoto, 45 vjeç, administron prej 15 vjetësh një lokal në qendër të fshatit Poliçan. Ai thotë se çdo ditë ka punë, vijnë klientët nga rrethe të ndryshme të vendit dhe nuk largohen pa shijuar më parë mishin e qengjit, të pjekur në hell.
"Disa ditë më parë dy familje kosovare, rreth 12 veta, kanë ngelur pa gojë, u 'embëlsuan' nga mishi i qengjit", thotë Zoto, duke nënvizuar se ata ishin befasuar edhe nga natyra e gjelbër.
Zoto thekson se klientët pëlqejnë një shërbim të thjeshtë, të shpejtë dhe çmim të arsyeshëm.
"Ndihem me fat, pasi produktet bujqësore dhe blegtorale i siguroj në fshat. Kjo më ka dhënë shumë avantazhe dhe klientët paguajnë 30% më pak se sa në qytet", përfundon Zoto./s.s./