English

Rusi - Gazpromi, Në Konflikt Me Bjellorusinë, Zvogëlon Eksportet E Gazit

MOSKË, 21 qershor /ATSH-AFP/ - Gjigandi rus i gazit Gazprom-it, në konflikt financiar që prej disa ditësh me Bjellorusinë, njoftoi sot se ka filluar zvogëlimin e eksporteve të gazit drejt këtij vendi, duke vazhduar në të njëjtën kohë bisedimet me të për arritjen e një marrëveshjeje. "Borxhi nuk është paguar dhe që prej orës 10 të mëngjesit (06:00 GMT) të ditës së sotme, po zbatojmë një regjim zvogëlimi prej 15 për qind të furnizimeve me gaz drejt Bjellorusisë në krahasim me vëllimin e zakonshëm të përditshëm", deklaroi kreu i kompanisë publike ruse, Alexei Miller, sipas imazheve të ritransmetuara nga televizionin rus. "Në mungesë të marrëveshjes, zvogëlimi i furnizimeve mund të arrijë gradualisht në 85 për qind", paralajmëroi ai. Një zyrtar i shoqërisë energjetike ruse Beltransgaz kritikoi menjëherë vendimin e Moskës, duke e cilësuar atë si "të paligjshëm dhe të pabazë", njoftoi agjencia Interfax. Rusia, e përballur vazhdimisht me probleme të vonesës së pagesave nga Bjellorusia, i dha afat deri të hënën këtij vendi për të shlyer borxhin e gazit i grumbulluar që prej fillimit të vitit dhe që arriti, sipas Gazpromit, në rreth 200 milionë dollarë. Ndërsa Minsku i kërkon Moskës 200 milionë dollarë për tranzitin e gazit drejt Evropës nga territori i tij. Marrëdhëniet mes Moskës dhe Misnkut në fushën e energjisë po ndiqen nga afër nga klientët evropianë të Gazpromit, të cilët shqetësohen për një ndërprerje të furnizimeve, pasi 20 për qind e gazit rus të BE-së kalon tranzit nga Bjellorusia dhe pjesa tjetër kalon nga Ukraina. Evropianët e kanë provuar tashmë në janar të vitit 2009 një ndërprerje prej dy javësh të furnizimeve ruse, për shkak të një konflikti ruso-ukrainas. Presidenti rus Dmitri Medvedev i kërkoi sot Miller informimin e klientëve evropianë të Gazpromit për zhvillimin e situatës, sipas imazheve të transmetuara nga televizioni rus. "Duhet të vëmë në funksionim sistemin e njoftimit të partnerëe tanë tregtarë", deklaroi ai gjatë një takimi me kreun e Gazpromit orët e para të mëngjesit. /I.Pu.
KOMENTE