English

Sejdiu: Ndërkombëtarët, presion mbi Beogradin për veriun e Kosovës

Prishtinë, 21 qershor, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaroi sot se në pjesën veriore të vendit duhet të ketë një angazhim më të madh të gjithë institucioneve për luftimin e dukurive negative.

Por nga ana tjetër ai kërkoi një presion më të madh të bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin, i cili mbështet strukturat paralele atje.

Deklarata e Sejdiut u bë sot pas një takimi me një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Sverre Myrli nga Norvegjia dhe me përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Portugalia, Italia, Franca, Polonia e Sllovenia.

Presidenti Sejdiu e njoftoi delegacionin për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë. Fillimisht ai shprehu një falënderim për kontributin që ka dhënë dhe po jep NATO-ja në vendin tonë.

Pasi theksoi se NATO-ja ka një rol specifik në Kosovë, që nga dita e parë e angazhimit të kësaj force në këtë shtet, Presidenti Sejdiu vlerësoi se kjo aleancë ka dhënë dhe po jep një kontribut të pazëvendësueshëm, jo vetëm në sferën e sigurisë, por në të gjitha fushat.

m.xh/NOA

KOMENTE