Shkoder: Ambasadori I Austrise, Raunig, Interes Per Zhvillimin E Zones Veriore
SHKODËR, 21 Qershor/ATSH-G. Marku/- Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Florian Raunig vizitoi sot Shkodrën ku në takimet me drejtuesit e qeversjes vendore, shprehu interes per zhvillimin e zones veriore.
I shoqëruar nga Konsulli Austriak në Shkodër, Gjergj Leqejza, takimin e pare Rauning e zhvilloi me kryetarin e Bashkisë, Lorenc Luka dhe drejtuesit e qarkut dhe prefekturës, Gjovalin Kolombi e Maxhid Cungu.
Siç bëhet e ditur nga drejtuesit lokale, qëllimi i vizitës së ambasadorit austriak në Shkodër ishte diskutimi rreth zhvillimit të rajonit të veriut të Shqipërisë në përgjithësi dhe Shkodrës në veçanti, si kryeqëndra e veriut shqiptar.
Duke vënë në dukje ndihmën dhe mbështetjen që qeveria austriake i ka dhënë vitet e fundit rajonit verior si, ne infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj, krerët lokalë të Shkodrës garantuan diplomatin austriak për një bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen për zbatimin e projekteve të tjera.
"Programi i ri i bashkëpunimit me qeverinë austriake ka si qëllim të ndihmojë qeverinë për hartimin e ligjeve në favor të qarkut", tha kryetari i keshillit te qarkut Shkodër, Prof. Dr. Gjovalin Kolombi.
Ai vlerësoi synimin kryesor të ndihmës së drejtpërdrejtë që do t'i japë qeveria austriake qarkut të Shkodrës në hartimin e strategjisë së zhvillimit të veriut shqiptar në të ardhmen në të gjitha drejtimet.
"Austria ka pasur, ka dhe do të ketë projekte të përbashkëta për zhvillimin e Shkodrës", tha Ambasadori Austriak, Florian Raunig duke nënvizuar projektet në ujësjellësat e Koplikut, Kastratit, projektin për Kelmendin etj.
Ambasadori Raunig theksoi se "shumë shpejt fillon edhe një tjetër projekt në bashkëpunim edhe me Zvicren, që konsiston në zhvillimin rajonal për veriun shqiptar, i cili konsiderohet shumë i rëndësishëm për komunitetin".
Gjatë takimit me krerët vendorë, ambasadori Raunig u ndal dhe tek investimet e bëra për sektorin e turizmit, duke thekuar se ekonomia e Shkodrës ka shanse të mëdha në këtë drejtim si rajon ndërkufitar. /a.ke/