English

Sport-Profil/ Sergej Bubka, Atleti "Fluturues" I Kërcimit Së Larti

TIRANË, 21 Qershor/ATSH- Gjergji Mima/ . -Sergej Bubka, i lindur në 4 dhjetor 1963, ish-atlet ukrainas i kërcimit së larti, i votuar në mënyrë të përsëritur si atleti më i mirë në botë, ka përfaqësuar ish- Bashkimin Sovjetik deri në shpërbërjen e tij në vitin 1991. Bubka fitoi 6 kampionate botërore me radhë, një medalje ari në Olimpiadë dhe theu rekordin botëror për kërcim së larti plot 35 herë Ai mban rekordin aktual botëror në natyrë me 6,14 metra, vendosur më 31 korrik 1994 në Sestriere (Itali) dhe rekordin aktual botëror në sallë me 6,15 metra, të vendosur më 21 shkurt 1993 në Donetsk, Ukrainë. Lindur në Voroshilovgrad, Ukrainë, Bubka ishte një atlet i mirë në 100-metra dhe kërcim së gjati, por ai u bë një konkurrent i klasit botëror vetëm kur filloi të konkurronte në kërcim së larti. Sergej Bubka hyri në atletikën ndërkombëtare në vitin 1981, kur morri pjesë në Kampionatin Evropian për të rinj, ku arriti në vendin e 7-të. Por kulmin e arriti në kampionatin botëror të vitit 1983 në Helsinki, ku një Bubka relativisht i panjohur rrëmbeu medaljen e artë, duke kapur 5,70 metra. Vitet që pasuan dëshmuan dominimin e pashembullt të Bubkas me vendosjen e rekordeve dhe standardeve të reja në kërcim së larti. Ai vendosi rekordin e tij të parë botëror me 5.85 metra më 26 maj 1984, të cilin e përmirësoi në 5.88 metra një javë më vonë, dhe pastaj në 5.90 metra një muaj më vonë. Ai arriti 6.00 metra për herë të parë në 13 korrik 1985 në Paris. Kjo lartësi për shumë kohë konsiderohej si e paarritshme. Duke mos pasur asnjë konkurrent, Bubka përmirësoi rekordin e tij gjatë 10 viteve të ardhshme deri sa arriti rezultatin më të mirë në karrierën e tij, që është edhe rekordi aktual botëror, me 6.14 metra në vitin 1994. Ai ishte i pari atlet që kërceu mbi 6.10 metra në San Sebastián (Spanjë) në 1991. Ai vendosi rekordin botëror aktual me 6.14 metra në 1994, pasi disa analistë tashmë e kishin parashikuar rënien e sportistit të madh. Bubka rriti rekordin botëror me 21 centimetra mes viteve 1984 dhe 1988, më shumë se sa atletë të tjerë të kërcimit së larti kishin arritur në 12 vitet e mëparshme. Ai kaloi lartësinë 6.00 metra në 45 raste, më shumë se të gjithë atletët e tjerë në histori. Bubka u tërhoq zyrtarisht nga sporti në vitin 2001, ndërsa tani mban postin e zv/presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës./s.s./
KOMENTE