Sport- Sergej Bubka Në Shqipëri, Lobon Për Botërorin E Vrapimit Në Mal
TIRANË, 21 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/- Rekordmeni i botës në kërcimin me shkop, Sergej Bubka, do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë.
Ftesa e presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, është pritur pozitivisht nga një prej ikonave të "Mbretëreshës" së sporteve.
Sipas FSHA-së, Sergei Bubka do të zbresë sonte në orën 23:10 në aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit, ku do të pritet nga drejtuesit më të lartë të atletikës shqiptare.
Zëvendëspresidenti i IAAF-it, Sergei Bubka, shoqërohet në këtë vizitë nga presidenti i Federatës Botërore të Vrapimit, Bruno Gozelino.
Titullarët e IAAF-it do të vijojnë ditën e nesërme në mëngjes me takime të veçanta në Presidencë me Kreun e Shtetit, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha si dhe me ministrin e TKRS-së, Ferdinand Xhaferri.
Gjithashtu ata do të takohen edhe me drejtuesit më të lartë të të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, përfshirë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it.
Në njoftimi zyrtar të FSHA-së bëhet e ditur se zoti Bubka do të vizitojë vendin tonë bashkë me Bruno Gozelin për të shprehur pranë autoriteteve shqiptare gatishmërinë e institucioneve që ai përfaqëson në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për të organizuar Kampionatin Botëror të Vrapimit në Mal, i cili do të zhvillohet në fund të shtatorit të vitit 2011.
Sipas presidentit të FSHA-së, eventi do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe sportin në veçanti.
"Ky botëror do të kontribuojë në promovimin e aftësisë, potencialit, si dhe resurseve intelektuale, profesionale dhe infrastrukturore që ka vendi ynë për të realizuar me sukses aktivitete të këtyre përmasave, duke na rreshtuar kësisoj në krah të vendeve më të angazhuara e të zhvilluara të botës, si një vend anëtar i NATO-s dhe pjesë integrale e BE, një kontribut i drejtpërdrejtë ky në forcimin e besimit të një Shqipërie Evropiane", u shpreh Ruli.
Ai shtoi se Federata e Atletikës, duke pasur partnerë në këtë nismë ndërkombëtare MTKRS-në, KOKSH-in si dhe Universitetin e Sporteve të Tiranës, mundëson dhe garanton plotësisht organizimin e këtij aktiviteti në nivelin e kërkuar.
Ndërkohë Sergei Bubka, së bashku me Bruno Gozelin, do ta mbyllin vizitën e tyre në Shqipëri në malin e Dajtit, ku do të vëzhgojnë nga afër terrenin ku mendohet të organizohet Kampionati Botëror i Vrapimit në Mal./s.s./