English

Stina E Verës-Si Mund Të Mbrojmë Fëmijët Nga Çrregullimet Prej Temperaturave Të Larta

TIRANË, 21 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Stina e verës, e karakterizuar nga temperaturat e larta, ndikon në mënyra të ndryshme në organizmin e fëmijëve, ndaj dhe mjekët këshillojnë prindërit të bëjnë kujdes ndaj çrregullimeve të shfaqura tek ta, duke nisur që nga virozat e deri tek mbrojtja nga dielli. "Fëmijët reagojnë në mënyra të ndryshme, pasi sistemi imunitar apo mbrojtës, nuk është zhvilluar tërësisht", pohojnë mjekët pediatër. Sipas tyre, duhet bërë kujdes me ambientin ku qëndrojnë fëmijët, me higjienën e tyre, por edhe me ushqimin që konsumohet. Fëmijëve duhet t'u jepen lëngje frutash, ujë natyral i pastër, ushqime të lëngshme e të gatuara në moment, këshillojnë mjekët. Sipas tyre, është mjaft i rëndësishëm konsumimi i sa më shumë frutave dhe zarzavateve të freskëta dhe lëngjeve. Ndërsa, në shtëpi duhet të mbahen ambientet e freskëta, në temperaturë deri 25 gradë celsius e me lagështi normale. Disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave të stinës janë konsumimi i ujit të sigurtë (të blerë ose të zier nga çezma, kur nuk jemi të sigurtë për cilësinë e tij), larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishi (qumështi, vezët, akulloret, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët). Kujdes i veçantë, sipas mjekëve, duhet bërë me konsumimin e ushqimeve nga fast food- et, akulloret, etj. - Çrregullimet tek fëmijët e vegjël - Ndikimi negativ i temperaturave të larta është më i theksuar tek grupmoshat 1-4 vjeç, thonë mjekët pediatër. Sipas tyre, ndër çregullimet që vihen re gjatë stinës së verës tek kjo grupmoshë janë irritimi i lëkurës, që më së shumti shkaktohet nga një mjedis i nxehtë dhe i paajrosur. Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është i zakonshëm tek fëmijët, pasi gjendrat e djersës tek ta nuk funksionojnë ende ashtu siç duhet. Për shmangien e irritimeve që shfaqen me puçra të vogla të kuqe në pjesët ku trupi është më i nxehtë, mjekët këshillojnë veshjen e fëmijëve me rroba të lehta, kryesisht material pambuk, dhe të mbahet në dhomë me ajër të pastër. Puçrat e vapës, apo të njohura më së shumti si vaporet, janë një tjetër çrregullim i shfaqur me shpërthim puçrash të vogla në lëkurë, të shkaktuara nga mbinxehja e trupit të fëmijës. Më e shpeshtë është veçanërisht tek foshnjat, për kujdesin ndaj të cilëve janë të këshillueshme veshjet me rroba të lehta të pambukta, mbajtja në hije dhe në konsultim të herëpashershëm me mjekun pediatër. Diarreja është mjaft e shpeshtë tek fëmijët e moshave të vogla, veçanërisht nga 6 muaj deri në 2 vjeç, e cila shoqërohet edhe me të vjella. Në këto raste, prindërit duhet të konsultohen me mjekët, pasi fëmija mund të jetë prekur nga infeksioni i shkaktuar nga viruset ose bakteret. Infeksionet nga viruset ose bakteret, shfaqen kryesisht në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta, apo edhe nga ushqimet e pakontrolluara. Bakteret më të zakonshme janë Salmonelat ose Escherichia Coli. Për shmangien e çrregullimeve diarreike, mjekët këshillojnë prindërit që të respektojnë rregullat e higjienës, por dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve, përdorimin e ushqimeve të freskëta, ujit higjenikisht të pastër, etj. Sipas mjekëve, në ndonjë rast, diarreja është e shpeshtë dhe e shumtë, duke shkaktuar dehidratim. Prania e të vjellave pengon rihidratimin me anë të gojës dhe në këto raste fëmija duhet të trajtohet në kushte spitalore. -Mbrojtja e fëmijëve nga rrezet e diellit - Fëmijët nuk duhet të qëndrojnë gjatë nën rrezet e diellit, qoftë kjo në plazh apo dhe kudo tjetër. "Lëkura e fëmijëve është e butë, e ndjeshme dhe lehtësisht e dëmtueshme. Pigmenti i melaninës nuk është i plotë në lindjen e fëmijës, pasi duhen vite që melanina të sigurojë mbrojtje totale. Ndaj, fëmija nuk duhet të qëndrojë gjatë nën rrezet e diellit", sqarojnë mjekët. Pas një qëndrimi të gjatë në diell, fëmijët, sidomos ata të moshës 1-4 vjeç, shfaqin lodhje, këputje, gjendje të fikti, humbje ndjenjash, të vjella, temperaturë, etj. Por sipas mjekëve, këto shqetësime mund të vijnë edhe si pasojë e të qëndruarit në ambiente të mbyllura të nxehta, për shembull në shtëpi. Fëmijët deri në moshën 6 muajsh nuk duhet të ekspozohen në diell, ndërsa për grupmoshat e tjera duhet të tregohet kujdes maksimal gjatë qëndrimit në diell. "Në ditët e para të plazhit, teksa qëndrojnë në diell, fëmijët duhet të vishen me rroba prej pambuku, kapele, si dhe të përdoren kremat mbrojtës, që duhet të jenë në përshtatje me fototipin e lëkurës së tyre dhe fortësinë e rrezeve ultraviolet", këshillojnë mjekët. Sa më e bardhë të jetë lëkura e fëmijës, aq më i lartë duhet të jetë faktori mbrojtës në krem. Fëmijët duhet të lyhen disa herë me krem, kur qëndrojnë të ekspozuar në diell, sqarojnë ata./s.s./
KOMENTE